Abdixhiku: Qytetarët duan zgjidhje për problemet e përditshme, Kurti po tregohet i paaftë
Lexohet për: 3 min.
2 vite më parë
Linku u kopjua

Lidhja Demokratike e Kosovës, në kuadër të ciklit debatues e diskutues “LDK ju dëgjon”, ka vazhduar sot takimet me struktura dhe qytetarë në Pejë. Gjatë aktiviteteve u diskutua për sfidat e qytetarëve dhe idetë e LDK-së, ku u prezantuan shtyllat e reja programore të programit “Lidhja për të ardhmen” në të cilin po punojnë 29 departamente.

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, kritikoi Qeverinë Kurti për performancën e dobët dhe gjendjen e rënduar të vendit tonë si pasojë e krizave të njëpasnjëshme, veçanërisht kësaj të fundit me mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit tanë.

“Qeveria po e humb betejën me qytetarët dhe punëtorët. Kurti më në fund po përballet me realitetin dhe pasojat e sjelljes së tij arrogante. Mosekzekutimi i pagave si përpjekje e fundit e dështuar e Kurtit për të mposhtur mësuesit tanë, ka dëshmuar se asnjë Qeveri nuk mund të punojë kundër qytetarëve. Ky është mësim që asnjë Qeveri nuk duhet të përpiqet të zbatojë metoda të ngjashme për të heshtur revoltën, për të sjellë zgjidhje të njëanshme dhe për të përjashtuar qytetarët nga dialogu”, ka thënë kryetari Abdixhiku.

Më tej ai ka folur për Kurtin dhe frikën që po e shpërndanë çdo ditë tek qytetarët.

 “Kurti ende jeton në bindjen se të gjitha qeveritë e mëparshme janë fajtore që nuk kanë mundur të realizojnë nga ato që kanë premtuar. Ai e konsideron çdo kritikë nga opozita dhe media si një komplot personal ndaj tij. Gjithnjë e më shumë, kryeministri po kthehet në një politikan që vetëm shpërndan frikë dhe paranojë nga të tjerët, por nuk arrin të shohë gabimet e tij”, tha Abdixhiku.

 Kryetari i LDK-së, Abdixhiku, foli edhe për ciklin e takimeve “LDK ju dëgjon”, ku tha se gjatë bashkëbisedimit me qytetarët anë e mbanë Kosovës, të gjithë qeverisjen e Kurtit po e konstatojnë si të paaftë e cila prodhon vetëm kriza.

“Ajo çfarë po përjetojnë qytetarët e Kosovës nuk ka të bëjë fare me qeverisjen e mirë e cila e ka për detyrë të jetë krah qytetarëve, e jo të hakmerret për inate politike e të vazhdojë të jetoj nga kriza në krizë”, potencoi Abdixhiku.

Abdixhiku, tha se LDK është duke e përgatitur programin e saj qeverisës, i cili do të jetë alternativa më e mirë për të gjithë qytetarët pa dallim.

“Në hartimin e programit të LDK-së po marrin pjesë qindra ekspertë të ndarë në 29 departamente si dhe po ndihmojnë edhe shumë qytetarë me aktivizimin e tyre të drejtpërdrejtë. Përmes këtij programi LDK do të jetë zëri i qytetarëve dhe shpresa për republikën  e zhvilluar”, ka thënë në fund Abdixhiku.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024