Lidhja Demokratike e Kosovës, ka filluar ciklin e ri të takimeve me ekspertët e 21 departamenteve të themeluara në fillim të këtij viti në mbledhjen e mbajtur të Kryesisë.
Ky cikël filloi me departamentin e Mbrojtjes, ku u diskutua për gjendjen e sigurisë në vend dhe projektet e LDK-së në programin “Rruga e Re”.
“Temat e diskutimit ishin çështjet e sigurisë në veçanti çështjet e mbrojtjes. Ambienti i sigurisë jo vetëm në rajon por edhe në nivel global është i ndryshueshëm, i varur nga shumë faktorë të cilët e determinojnë. Përderisa faktorët janë të ndryshëm atëherë edhe janë të thirrur personalitete dhe ekspert të fushave të ndryshme, jo vetëm të mbrojtjes por edhe të çështjeve sociale, mjekësisë, emergjencave, IT-së, inteligjencës artificiale etj, me të cilët ne i shkëmbyem njohuritë, informatat për të ardhur deri tek konkludimet sa më relevante të cilat pastaj shëndrrohen në politika të mbrojtjes të Lidhjes Demokratike të Kosovës’’.
Lidhja Demokratike e Kosovës, me anë të programit politik “Rruga e Re”, ka zbërthyer detajisht projektet për programin qeverisës. Në fushën e Mbrojtjes LDK-ja synon zhvillimin e Forcave të Armatosura përmes zhvillimit të personelit, menaxhimit të burimeve njerëzore, zhvillimit të komponentës së inteligjencës dhe sigurisë, fushës së operacioneve ushtarake, fushës së mbështetjes logjistike, planifikimit, komunikimit dhe trajnimit.
Ky cikël i takimeve të departamenteve të LDK-së do të vazhdojë ditëve në vijim.