Rezultatet e raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale nxorën në pah pasqyrën elektorale të liderëve të partive politike shqiptare në bastionet e tyre. Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti arriti të ruajë bastionin e tij në Kërçovë duke bërë një dallim prej 6.000 votave ndaj kundërshtarëve politikë nga blloku shqiptar. Në raundin e parë, në Kërçovë Bujar Osmani mori mbi 8 mijë vota, ndërsa Arben Taravari mbi 2 mijë. Ramiz Merko dhe Ziadin Sela i ruajtën bastionin Ahmetit edhe në Strugë. Në këtë qytet, Fronti Evropian doli mbi 4.700 vota epërsi kundrejt koalicionit VLEN, respektivisht ndaj Arben Taravarit. Ky i fundit mori mbi 3.300 vota, ndërsa Osmani mbi 8 mijë vota.
Bastionet Ahmeti me ndihmën e Frontit Evropian arriti t’i ruajë edhe në Saraj, Likovë dhe Çair. Në komunën me shumicën e funksionarëve të BDI-së, Ahmeti arriti të sigurojë epërsi prej 1.400 votave ndaj Izet Mexhitit. Arben Taravari arriti të ruajë bastionin në Gostivar me epërsi minimale prej 75 votave, ndërsa kreu i Lëvizjes Besa dhe kryetar i Tetovës, Bilall Kasami doli me 700 vota më pak se Fronti Evropian. Në vitin 2021 Tetova u kthye në bastion të Kasamit, pas disa mandateve radhazi që kishte BDI me Teuta Arifin në këtë komunë. Në gjashtë bastionet e partive politike shqiptare Strugë, Kërçovë, Gostivar, Tetovë, Saraj dhe Çair dallimi mes Frontit Evropian dhe koalicionit VLEN është mbi 15 mijë vota. Fronti Evropian ka siguruar rreth 60 mijë vota, ndërsa opozita shqiptare, përkatësisht Arben Taravari rreth 45 mijë. / Alsat.mk