Sekretari i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Bislim Bislimi ka bërë të ditur se viti 2025 ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për infrastrukturën sportive në Kosovë.
Në një intervistë për KosovaPress, Bislimi ka prezantuar investimet, sfidat me disa komuna, planet për stadiumet dhe përgatitjet për Lojërat Mesdhetare 2030, si dhe mbështetjen buxhetore të federatave dhe klubeve sportive.
“Ne jemi shumë të kënaqur me çka ka ndodhur në infrastrukturën sportive në vitin 2025. Është vlera totale e kontraktuar e punëve, projekteve infrastrukturore është mbi 96 milionë euro për 1 deri 5 vite projekte, që kanë ndodhur vetëm në vitin 2025 pa përfshirë projektet që kanë qenë duke u implementuar në vitet paraprake. Këto janë totalisht projekte të reja, mbi 35 projekte, mbi 35 punishte të reja, projekte nga 200,000 euro fusha të tenisit në 19 milionë euro stadiume. Do të thotë është përmasa e projekteve që kanë filluar zbatimin brenda vitit 2025”, bën të ditur fillimisht Bislimi.
Ai me dutje ka deklaruar se disa projekte janë vonuar për shkak të bashkëpunimit jo të njëtrajtshëm me komunat, gjë që ka ndikuar në ritmin e punimeve dhe afatet kontraktuale të projekteve.
Sa i përket stadiumit të Gjilanit, Bislimi ka bërë të ditur se puna po vazhdon sipas planit dhe stadiumi pritet të jetë gati për ndeshje brenda vitit 2027, duke respektuar të gjitha afatet kontraktuale.
“Kemi pasur një bashkëpunim të ngushtë me komunën e Gjilanit që çdo pengesë objektive në realizimin e projektit të stadiumit të eliminohet. Kontrata është nënshkruar në muajin maj. Kontrata ka një afat prej dy vitesh të përmbylljes, të ekzekutimit të projektit. Deri në përfundim të vitit të kaluar, dinamika e punimeve ka qenë e kënaqshme dhe nuk është vërejtur asnjë devijim nga kushtet kontraktuale, nga plani dinamik i punimeve. Pra, maj-dhjetor i vitit të kaluar ka qenë periudhë kur në stadium është punuar intensivisht...Kontrata në tërësi sa i përket aspektit kohor i ka dy vite. Edhe ne deri në këtë moment nuk kemi asnjë indikacion që nuk do të kryhet brenda afatit kontraktual, pra presim vitin 2027 si vit kur do të zhvillohet ndeshja e parë në stadiumin e Gjilanit”, vijon tutje Bislimi.
“Sa i përket çështjes së Lojërave Mesdhetare dhe bashkëpunimit ndër institucional, ne çuditërisht kemi pasur një përvojë jo pozitive të bashkëpunimit me komunën e Prishtinës edhe në sektorë të tjerë që mbulon ministria. Për fat të keq kjo është përcjellë edhe në pjesën e bashkëpunimit në fushën e sportit. Kemi pasur një dështim të komunës për të siguruar lokacionin për ngritjen e kompleksit multisportiv në bashkëpunim me federatën e basketbollit, që nuk është arritur të sigurohet lokacion në vitin 2025 dhe ai investim me siguri do të zhvendoset në ndonjë prej komunave të tjera të rajonit të Prishtinës. Kjo është një do ta quaj një dëm ndaj perspektivës zhvillimore të sportit në kryeqytet...Nuk kemi lejuar asnjëherë që këto përplasje të ndikojnë në dinamikën e përgatitjeve të Lojërave Mesdhetare. E them me përgjegjësi që kemi qenë jashtëzakonisht racional që të mos e që të mos e lejojmë që kjo përçarje të mbizotërojë ndaj dinamikës së punëve përgatitore që na presin përpara për Lojërat Mesdhetare”, deklaron Bislimi.
Bislimi ka bërë të ditur se janë planifikuar investime masive për Lojërat Mesdhetare, përfshirë fshatin olimpik, komplekse sportive dhe akuatike, me një vlerë totale që arrin rreth 253 milionë euro për të gjithë ciklin e projekteve.
Ai ka njoftuar se stadiumi nacional është përfshirë në projekt-buxhetin e vitit 2026 dhe se mbi 20 stadiume të tjera po ndërtohen në të gjithë Kosovën sipas planit pesëvjeçar, me investime që kalojnë 200 milionë euro.
“Ka të reja sa i përket stadiumit nacional. Është përfshirë në projekt-buxhet të vitit 2026 me një vlerë fillestare prej 4 milionë euro. që pastaj vazhdon në vitet në vazhdim. Me siguri shkon mbi 20 milionë. Besojmë shumë që ky projekt deri në këtë moment është diskutuar vetëm sa i përket vlerësimit të nevojave të vendit tonë për një stadium nacional...Ne po investojmë në mbi 20 stadiume në gjithë Kosovën, sipas planit të dakorduar pesë vjeçar për ngritjen e infrastrukturës futbollistike që përfshin një shifër prej mbi 200 milionë euro...Derisa, derisa është përfshirë në projekt-buxhetin e vitit 2026, ne besojmë që ky vlerësim tashmë i përket të kaluarës. Përfundimi është që Kosova ka nevojë për një stadium të ri nacional, i cili është si me thënë përjashtim, vetëm në kuptimin e përmasës edhe të standardeve edhe inxhinierike edhe sportive, është përjashtim nga të gjitha këto stadiume të tjera, por që do të ketë pastaj rezultat i rishikimit të projeksionit të ndërtimit të atij të atij stadiumi...Vlera prej 4 milionësh është e mjaftueshme që të bëhen të gjitha përgatitjet për fillim të ndërtimit të atij stadiumi dhe të kemi edhe një fillim fillestar të punëve në stadium. Ku? Ende nuk është i përcaktuar lokacioni”, bëri të ditur Bislimi.
“Mbështetja buxhetore për të gjithë komunitetin e sportit edhe për klubet vazhdon të rritet vit pas viti. Raportet flasin që në vitin 2025, komuniteti i sportit ka përfituar vetëm nga ligji për sponsorizimet një shumë prej 25 milionë eurosh, ndërsa mbështetja e ministrisë dhe e qeverisë për federatat ka shkuar afër vlerës prej 15 milionë euro, një shumë totale prej 40 milionë eurosh që flet për një trajtim me prioritet të lartë të sportit në listën e prioriteteve të qeverisë dhe të Ministrisë së Kulturës. Me federatat ne po synojmë që të dalim prej gjendjes së funksionimit fillestar ose prej logjikës së mbijetesës në kuptimin kështu të organizimit dhe të funksionimit të përditshëm të tyre. Ligji i ri për sport ka sjellë risi në mënyrën se si do të financohen dhe për çka do të financohen federatat. Pra ato do të financohen në tre shtylla, shtylla e parë është operimi vjetor, e dyta është organizimi i ngjarjeve ndërkombëtare, e treta është adresimi i objektivave specifike shtetërore në fushën e sportit”, theksoi Bislimi.
Në fund, Bislimi tha se viti 2026 kërkon mobilizim serioz dhe se nuk do të tolerohen vonesa në realizimin e projekteve infrastrukturore sportive nga palët e kontraktuara. Sipas tij, ministria do të ofrojë mbështetje, por do të kërkojë llogari për çdo hap, duke synuar që planet ambicioze të kthehen në realitet konkret për sportin dhe qytetarët e Kosovës.