Ahmet Zogu është lindur në Burgajet të Matit, më 8 tetor 1895. Ishte politikan shqiptar, ministër i Brendshëm (30 janar-14 nëntor 1920), kryeministër i Shqipërisë (1922-1924), president (1925 - 1928) dhe mbret, 1 shtator 1928 - de facto 7 prill 1939 pas pushtimit italian, ndërsa, de-jure më 2 janar 1946 pas shpalljes së Shqipërisë Republikë. Më 9 prill 1961, Ahmet Zogu ka vdekur në Spitalin e Sursnes afër Parisit në orën 16.00, në moshën 66-vjeçare.
Ahmet Zogu mësimet e para i kishte marrë në vendlindje nga mësues privat si Sali Toron, Hysen (Efendi) Cekën dhe Dervish Himën për gjuhën shqipe, Hafiz Muharremin për gjuhën turke, deri në moshën 13-vjeçare.
Gjatë Lufta e Parë Botërore, Zogu kishte dalë vullnetar në krah të Perandorisë Austro-Hungareze. Ai ishte mbajtur në Vjenë në 1917 e 1918, e në Romë në 1918 e 1919, përpara se të kthehej në Shqipëri më 1919.
Gjatë kohës në Vjenë, ai kishte shijuar stilin e jetës së Evropës Perëndimore dhe thuhet të ketë qenë shumë i pëlqyer mes grave vjeneze. Ahmet Zogu kishte marrë mësimet në gjuhën gjermane dhe thelluar njohuritë në artin ushtarak dhe në diplomacinë perëndimore.
Më 20 korrik 1912 Ahmeti, ishte kthyer në Shqipëri për arsye se Fuqitë Ballkanike, të përkrahur hapur nga Rusia, ishin duke u përgatitur që t’i shpallnin luftë Perandorisë Osmane, si rrjedhojë Shqipëria do të vuante pasojat e kësaj lufte. Në 1 Nëntor 1912, ai kishte marrë pjesë me 2000 matjanët e tij në luftë kundër ushtrive serbo-malazeze, duke i dalur në ndihmë qytetit të Shkodrës, i cili ishte mbrojtur nga Hasan Riza Pasha dhe daja i tij, Esat Pashë Toptani. Por, ishte thyer keq nga serbët në Zadrimë.
Më 28 Nëntor 1912, në shpalljen e pavarësisë në Vlorë nga Ismail Qemali, Matin, Dibrën dhe Mirditën e kishte përfaqësuar Beu i Vogël, i cili kishte kryesuar delegacionin prej 26 vetash. Ndërkohë që, luftonte, ishte njoftuar se Dibra ishte pushtuar dhe ishte djegur nga forcat serbe, si dhe ishin duke iu drejtuar Matit. Atëherë, Ahmet Zogu me shpejtësi të madhe ishte nisur për në Mat, ku kishte filluar menjëherë përgatitjet për të mbrojtur të paktën Matin nga sulmi.
Gjatë qeverisjes së Ismail Qemalit, Zogu kishte mbrojtur interesat e kësaj qeverie, duke kundërshtuar edhe Esat Pashë Toptanin. Në kohën e ardhjes dhe përpjekjeve të Princ Vidit që të instalonte qeverinë e tij në Shqipëri, ai e kishte përkrahur atë. Në pranverën e 1914, kishte plasur një kryengritje kundër Vidit (e cila mendohej se ishte ideuar nga Esat Pashë Toptani).
Zogu ishte vënë në ndihmë të Princ Vidit dhe kishte kërkuar nga forcat rebele që të tërhiqeshin dhe mos të rrezikonin interesat kombëtare. Mbas një përgjigje negative nga ana e rebelëve, ai kishte marshuar drejt Elbasanit dhe Krujës, i kishin thyer forcat rebele dhe ishte vendosur në Krujë. Gjatë kohës që ishte në Krujë, Princ Vidi ishte larguar nga Shqipëria dhe ia kishte lënë administrimin e vendit një përfaqësie ndërkombëtare, kjo kishte bërë që edhe Zogu të tërhiqej nga Kruja drejt Matit.
Kjo iniciativë e tij, në fillim kishte mbështetjen nga Austro-Hungaria, e cila më vonë ishte trembur dhe e kishte penguar. Ky akt kishte bërë që Zogu të tërhiqej nga Lufta e Parë Botërore, si shenjë revolte kundër këtij veprimi. Austriakët, ngaqë ishte nip i Esat Toptanit donin ta internonin. E ëma, i kishte kërkuar ndihmë At Pal Dodajt, atëherë në Rubik, që t'i shpëtonte të birin. At Dodaj kishte shkuar në Burgajet, e kishte veshur si frat Ahmetin, e kishte marrë në Kuvendin e Rubikut. Me ndërhyrjen e At Dodajt, Zogu kishte shkuar me studime në Austri, në një Akademi Ushtarake.
Në janarin e 1917, mbas vdekjes së Franc Jozefit, në Vjenë ishte bërë kurorëzimi i Karlit dhe ishte ftuar një delegacion nga Shqipëria. Mbas kësaj ceremonie austriakët i kishin kërkuar Zogut, që të qëndronte në Vjenë, vend i cili kishte ofruar bursa për një grusht shqiptarësh, e kishte plane për Shqipërinë. Atje ai kishte takuar dhe Çatin Saraçin.
Më 11 shkurt 1920 pas kundërshtisë italiane për të mos lejuar vendosjen e qeverisë në kryeqytetin e vendit në Durrës, Zogu çan barrikadën dhe siguron vendosjen e qeverisë dhe Këshillit të Naltë në Tiranë. Më 6 mars 1920 së bashku me ministrin e Drejtësisë bën bashkimin e Shkodrës me pjesën tjetër të vendit. Në shkurt–nëntor 1920 stabilizon rendin në Shqipëri. Në nëntor 1920 suksesi i tij ngjall xhelozi dhe si pasojë e saj, qeveria jep dorëheqjen. Më 5 prill 1921 zgjidhet deputet i Partisë Popullore në Këshillin Kombëtar. Më 4 nëntor 1921, emërohet nga qeveria, komandant të operacioneve ushtarake për krahun lindor kundër serbëve. Më 14 dhjetor 1921 pas shtypjes së grushtit të shtetit vjen në Tiranë dhe siguron qetësinë e vendit. Më 24 dhjetor 1921 emërohet sërish ministër i Punëve të Brendshme.
Më 1922 ndryshon mbiemrin, duke hequr mbrapa-shtesën turke -olli, dhe duke lënë thjesht Zogu.
Më 23 shkurt 1924 për shkakun se Zogu me anë të një koalicioni me independentistët siguroi një shumicë të re, iu organizua një atentat brenda Kuvendit Kushtetues. Zogu plagoset gjatë hyrjes së tij në parlament nga Beqir Valteri me 24 shkurt. Te Zogu po hynte në derë Valteri, i cili qëlloi me qetësi tre herë mbi trupin e Ahmet Zogut. Zogu mori tre plumba, një në dorë, një në kofshë dhe një në bark.
Në sallën e parlamentit pllakosi një atmosferë tepër e rëndë, pasi duke qenë se shumica e deputetëve ishin të armatosur, ekzistonte rreziku i një përleshjeje të armatosur mes palëve kundërshtare.
Kjo ndërhyrje e Zogut dhe e Vrionit shmangu një kasaphanë të vërtetë në sallën e Asamblesë.
Iu afrua Eqrem Bej Vlora me dr. Simonidhin që verifikoi dëmin që kishin bërë dy plumba që e kishin marrë kalimthi duke e çarë thellë, njëri në kofshë e tjetri në baqth; plagët u lidhën përkohësisht.
Në maj–qershor 1924 opozita organizon një grusht shteti. Qeveria “Vrioni” që u rrëzua më 10 qershor 1924 e kishte emëruar ditët e fundit të saj, komandant për shtypjen e grushtit të shtetit në veri.
Në qershor 1924 për të mos i dhënë rrugë gjakderdhjes, Zogu largohet në Jugosllavi. Gjykata politike e kundërshtarëve të tij politikë e dënon me vdekje në mungesë. Në dhjetor 1924 me vendim të qeverisë “Vrioni” dhe me përkrahjen e fuqive të mëdha, Zogu rikthen legjitimitetin e rrëzuar në qershor 1924. Më 6 janar 1925 Këshilli i Naltë e dekreton kryeministër dhe ministër të Brendshëm.
Më 25 janar 1925 Kuvendit Kushtetues shpalli Republikën Shqiptare. Dhjetë ditë më vonë, Ahmet Zogu u zgjodh nga Kuvendi Kushtetues, kryetar i republikës, duke qenë në të njëjtën kohë edhe kreu i pushtetit ekzekutiv. Gjatë kësaj kohe, Ahmet Zogu riktheu stabilitetin në vend, si dhe mundësoi nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike, politike e ushtarake që forcuan pozitën e Shqipërisë.
Paqëndrueshmëria e stabilitetit politik të vendit në vitet '20, detyroi një grup parlamentarësh të propozonin shqyrtimin e regjimit shtetëror në Shqipëri, parlamenti vendosi në favor të këtij propozimi.
Më 1 Shtator 1928, Asambleja Kushtetuese proklamoj: "Mbret të Shqiptarëve" nën emrin "Zog I". Ceremonia e kurorëzimit ishte planifikuar për në orën pesë, por në katër e gjysmë dhoma e bardhë e parlamentit ishte mbushur plot me deputetë, punonjës civilë, kryetarë të fiseve disa të veshur me frakë dhe të tjerë me feste prej leshi të bardhë. Krerët e misioneve të huaja ishin gjithashtu të pranishëm, edhe pse përpiqeshin të mos binin në sy. Rasti ngrinte pyetje të vështira protokolli, ndaj duke reflektuar verdiktet pezull të qeverive të tyre, diplomatët kishin zgjedhur veshje mëngjesi, pa dekorime. Për të dëshmuar se pjesëmarrja e tyre ishte informale ato u rrasën në turmën e mbledhur në hollin modest, duke ua lënë hapësirën e rezervuar për to korrespondentëve të “Associated Press”.
Ai u betua (Formula e betimit):
Më 7 prill 1939 duke mos pranuar kushtet e pushtimit fashist, largohet nga Shqipëria. Më 8 prill 1939 vendoset në Greqi dhe fillon jetën në mërgim. Duke iu trembur një reagimi negativ nga ana e qeverisë italiane autoritetet greke informuan menjëherë Romën se mbreti dhe suita e tij prej 113 vetash nuk do të lejoheshin që të organizonin kurrfarë veprimtarie politike në Greqi.
Hapi tjetër ishte ushtrimi i një presioni të vazhdueshëm ndaj mbretit që ky i fundit të largohej nga Greqia. Gjithashtu fillon organizimin e rezistencës së armatosur. Më 3 maj 1939 mbërrin në Turqi, ku pritet nga autoritet më të larta të vendit dhe nga shqiptarët.
Për shkak të fjalëve që u përhapen në lidhje me ngjitjen sërish në fron, e kjo mund të bëhej e mundur vetëm me ndihmën e një Fuqie të Madhe, shumë shpejt ai u largua dhe nga Turqia dhe i hodhi sytë drejt Britanisë. Ai e informoi ambasadorin në Ankara për dëshirën e tij për t'u vendos në Londër. Përgjigja i erdhi në mes të qershorit pasi mbreti u zotua se nuk do të përfshihej në asnjë aktivitet politik. Me qëllim që të shmangte një udhëtim pranë kufijve të Italisë ose përmes Gjermanisë, Zogu dhe suita e tij u detyruan të ndërmarrin një udhëtim të gjatë përmes Evropës Lindore e Qendrore, i cili përfshiu etapa ndalesash në Rumani, Poloni, Lituani, Finlandë e Suedi.
Më 2 korrik 1939, mbërrin në Rumani ku pritet nga Mbreti Karol i Rumanisë. Më 15 gusht 1939, mbërrin në Paris, ku vendoset dhe merr me qira një shtëpi. Këtu vihet në kontakt me autoritet më të larta të Francës duke u kërkuar atyre leje për të ushtruar njëfarë aktiviteti politik. Kjo kërkesë iu refuzua megjithatë ai qëndroi në Francë deri në prag të pushtimit të saj nga gjermanët. Më 22 qershor 1941, mbërrin në Mbretërinë e Bashkuar. Vendoset dhe fillon aktivitetin e tij në Londër. Fillimisht qëndron në hotelin ‘Ritz’ dhe më vonë merr me qira një shtëpi në Parmoor. Qëndron në Mbretërinë e Bashkuar deri në përfundim të luftës. Më 18 Mars 1946, vendoset në Egjipt mbasi merr një ftesë nga Mbreti Faruk i Egjiptit.