Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e të shtënave me armë zjarri në fshatin Majac të Podujevës.
Mbrëmë, 31-vjeçarja dyshohet se e ka vrarë 45-vjeçarin nga Obiliqi, me të cilin dyshohet të ketë pasur lidhje.
Familjarët, të cilët nuk deshën të flasin para mediave, treguan se 31-vjeçarja dyshohet se i kishte marrë peng 73-vjeçaren, si dhe bashkëshorten e djalit të saj me fëmijët e saj. Por ajo tashmë është në gjendje shoku.
73-vjeçarja është gruaja e axhës së të dyshuarës 31-vjeçare, por familjarët thanë se dy familjet kishin raporte shumë të mira.
Në vendin e ngjarjes është hasur një veturë e tipit “VË”, ngjyrë e bardhë, me targa lokale 01, e cila ka rezultuar në pronësi të një mashkulli kosovar nga Obiliqi. Ekipi mjekësor ka konstatuar se personi i hasur në automjet ishte pa shenja jete.
Referuar hetimeve fillestare, policia ka siguruar informacion se një person i gjinisë femërore ndodhej brenda një shtëpie, posedonte armë zjarri dhe nuk pranonte të komunikonte me askënd, duke paraqitur rrezik për veten dhe për të tjerët. Në këtë situatë janë angazhuar Njësia Speciale Intervenuese dhe zyrtarët për ndërmjetësim, të cilët kanë ndërhyrë dhe kanë vënë situatën nën kontroll.
Instituti i Mjekësisë Ligjore ka bërë tërheqjen e trupit të pajetë nga vendi i ngjarjes. Policia ka njoftuar se më 23 mars 2026, rreth orës 03:35, njëra nga viktimat femra ka ndërruar jetë në QKUK, vdekjen e së cilës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Me urdhër të prokurorit nga Departamenti i Krimeve të Rënda, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, ndërsa rasti është ri-cilësuar si “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka bërë të ditur se, si pasojë e të shtënave me armë zjarri, kanë humbur jetën dy persona me inicialet I.B. dhe M.G., ndërsa e dyshuara ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes është sekuestruar një armë zjarri, disa gëzhoja dhe prova të tjera materiale relevante për rastin.