Sot bëhen 25 vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes ushtarako-teknike të Kumanovës, me të cilin iu dha fund luftës në Kosovë, duke u dorëzuar ish-ushtria e Jugosllavisë dhe kapitullimi i kriminelit, Sllobodan Millosheviq.
Me këtë marrëveshje, Serbia është detyruar të tërheqë të gjitha forcat e saj policore dhe ushtarake nga Kosova. Marrëveshjen e Kumanovës, ndërmjet NATO-s dhe RFJ-së, e nënshkruar më 9 qershor 1999, hyri në fuqi më 11 qershor 1999. Atë e nënshkruan Michael Jackson, komandanti i parë i KFOR-it në Kosovë dhe ish-shefi i Shtabit të Armatës serbe, gjenerali Nebojsha Pavkoviq, i akuzuari i Hagës për krime lufte dhe gjenocid.
Ndër të tjera në marrëveshje parashihej:
c) që nga Kosova të largohen të gjithë personat dhe organizatat me aftësi militare duke përfshirë armatën e rregullt dhe forcat e marinës, civilë të armatosur, paramilitarë, forcat ajrore, garda kombëtare, policia kufitare, rezervistët, policia ushtarake, shërbimet informative, MUP-it, policia lokale, speciale, antirebeliste, antiterroriste dhe çdo grup i përcaktuar kështu nga KFOR-i.
e) u caktua një zonë 5 kilometrash përtej kufirit me RFJ-në që nuk guxonte të vendosen armatimet e rënda dhe ushtria, përveç ushtarët kufitarë.
Më 12 qershor të vitit 1999, në Kosovë kanë zbarkuar trupat e para të këmbësorisë së NATO-s, ndërsa ka nisur largimi i forcave serbe.
Misioni ishte i ndarë në pesë zona të përgjegjësisë, që i përkisnin KFOR-it amerikan, britanik, francez, gjerman dhe italian.
Me hyrjen e NATO-s, në Kosovë ka nisur edhe vendosja e misionit të përkohshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i cili do të administronte vendin për një periudhë të caktuar kohore.