Dëmet e luftës së fundit në Kosovë konsiderohen të jenë të mëdha si në njerëz ashtu edhe në ekonomit, të cilat në bazë të vlerësimeve të deritanishme janë mijëra të vrarë, e miliarda dëme në ekonomitë familjare dhe ndërmarrje të shkatërruara.
Në bazë të disa hulumtimeve nga organizata të ndryshme në vend numërohen përafrisht mbi 13 mijë banorë civil të vrarë, prej tyre 1 mijë e 393 janë fëmijë, ndërkaq mbi 20 miliardë euro janë dëme materiale.Megjithatë, shprehen se këto të dhëna duhet të prezantohen edhe tek opinioni botëror, pasi sipas tyre, kjo çështje është pak e njohur tek ata.
Studiuesi i arkivistikës, Jusuf Osman thotë se sipas evidencës që ka bërë janë të vrarë mbi 13 mijë banorë civil, prej tyre mbi 1 mijë e 300 fëmijë. Sipas ti, kjo është dëshmia më e mirë për krimet makabre që ka bërë Serbia ndaj Kosovës.Osmani derisa shprehet i shqetësuar që të rinjtë mund të mos i dinë dëmet që ka shkaktuar lufta fundit, thotë se sipas hulumtimit të bërë, komuna e Skenderaj ka më së shumti viktima në vend.
Ndërsa, themeluesi i Institutit për Kërkim Zhvillimor “Riinvest”, Muhamet Mustafa, thotë për KosovaPress se në aspektin e kërkesave ndaj Serbisë, kjo çfarë deklarojnë njerëzit mund të mos jetë shumë relevante, mirëpo konsideron se shteti ynë duhet të punojë më shumë në mënyrë që të paraqesë të vërtetën e gjenocidit serb të bërë në Kosovë.
Drejtori i Agjencisë së Statistikave në Kosovë, Avni Kastrati thotë se në pyetësor përfshihen ato dëme që janë shkaktuar në objekte fizike dhe në njerëz. Sipas tij, këto pyetje është dashur të bëhen në vitin 2011 pasi të dhënat kanë qenë më të freskëta.
Kujtojmë se, në nëntor të 2023-tës, ekzekutivi në Kosovë themeloi Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Në bazë të ligjit, Instituti duhet t’i trajtojë disa lloje krimesh, shembull krimet kundër njerëzimit, krimet ekonomike, krimet ushtarake, krimet psiko-sociale dhe ato të bëra në ambient.
Në një raport të shtatorit të vitit 1999, të përpiluar prej Komitetit për Çështje Ekonomike dhe Zhvillim të Këshillit të Evropës, përmendet se organizatat atëbotë aktive në Kosovë vlerësonin që mbi 120.000 objekte banimi ishin bërë të pabanueshme.
Sipas raportit të HRË-së, ngjashëm pësuan edhe shkollat dhe xhamitë: “Sipas vlerësimeve të OKB-së, në Kosovë janë dëmtuar 649 shkolla – më shumë se një e pesta e shkollave të inspektuara janë dëmtuar për mbi 60 për qind ose janë shkatërruar plotësisht”.
Lufta besohet se ka shkaktuar dëm të konsiderueshëm psikologjik dhe emocional, se ka kthyer tejet mbrapa zhvillimin ekonomik, se i ka penguar investimet e huaja, se ka shkaktuar jostabilitet politik dhe tensione sociale.