Gjatë vitit që e lamë pas në Kosovë u mbajtën dy procese zgjedhore, e që buxhetit të shtetit organizimi i tyre i ka kushtuar rreth 13 milionë euro. Zgjedhjet parlamentare që u mbajtën me 14 shkurt kushtuan 4.7 milionë euro, ndërsa për zgjedhjet lokale të mbajtura me 17 tetor u planifikuan 8.1 milionë euro.
Edhe pas përfundimit të këtyre proceseve zgjedhore, u shtrua nevoja për një reformë zgjedhore. Këtë e kërkon edhe vet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), por që monitorues të proceseve zgjedhore thonë se ka mungesë të vullnetit politik që një reformë e tillë të bëhet realitet.“KQZ-ja ka arritur që të përmbushë detyrat e veta kushtetuese dhe ligjore për organizimin e këtyre zgjedhjeve, pavarësisht faktit se jemi prej institucioneve të rralla që ka një barrë kaq të rëndë për organizimin e proceseve zgjedhore brenda një viti. [...] Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në përgatitje të një raporti të detajuar sa i përket shpenzimeve për organizimin e zgjedhjeve lokale. Planifikimi buxhetor për organizimin e këtyre zgjedhjeve ka qenë në shifrën 8.1 milionë euro, por zakonisht shpenzimet janë nën këtë planifikim, megjithatë duhet të presim këtë raport përfundimtar të shpenzimeve. [...] Ndërkaq, nga rreth 5.6 milionë euro të planifikuara për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të cilat u mbajtën më 14 shkurt 2021, janë shpenzuar rreth 4.7 milionë euro. Zakonisht, kostoja e zgjedhjeve lokale është me e lartë se kostoja e zgjedhjeve parlamentare, një nga arsyet kryesore është se për zgjedhjet lokale parashihet edhe mbajtja e raundit të dytë të zgjedhjeve për kryetarë të komunave”, thotë ai.
Pasaktësia e listës së votuesve, votime familjare, votimi me asistencë dhe fletëvotimet e pavlefshme, janë disa nga problemet të cilat i evidentojnë organizatat që kanë monitoruar këto procese zgjedhore.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ka theksuar vazhdimisht që Kuvendi i Kosovës duhet të përmbyllë procesin e reformës zgjedhore. Natyrisht se KQZ-ja është e gatshme për të dhënë kontributin e vet profesional në këtë reformë zgjedhore lidhur me të gjitha çështjet me të cilat është ballafaquar gjatë organizimit të një numri të madh të proceseve zgjedhore gjatë një dekade”, thotë Elezi.
Reforma zgjedhore, sipas Arton Demhasaj nga organizata Çohu, duhet të përfshijë rishikimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, atë për zgjedhjet lokale dhe Ligjin për financimin e partive politike.
Ndërkaq, Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se po të kishte vullnet politik reforma zgjedhore do të ishte përmbyllur tash e 10 vite.
Cakolli shprehet se meqë janë përmbyllur dy procese zgjedhore është momenti i duhur që të fillohet një proces i reformës, e në kuadër të saj, ai thotë se do të duhej të shihej si opsion ndarja në zona zgjedhore.
Kosova ka mbajtur zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare edhe gjatë vitit 2019, organizimi i të cilave buxhetit të shtetit i ka kushtuar rreth 5.4 milionë euro. Ndërkaq, zgjedhjet parlamentare të vitit 2017 kushtuan 4 milionë euro, njëjtë sa kanë kushtuar edhe zgjedhjet parlamentare të vitit 2014.
Organizimi i zgjedhjeve lokale të vitit 2017 buxhetit shtetëror i ka kushtuar rreth 7 milionë euro, ato të vitit 2013 i kushtuan mbi 5 milionë euro, kurse zgjedhjet lokale të vitit 2009 mbi 6 milionë euro.