Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi e ka quajtur hap pozitiv që Kosova ka kaluar votimin sot në Komitetin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Ai në një postim në rrjetin social X, ka theksuar se ky është lajm i mirë për vendin, demokracinë dhe vlerat evropiane. “Komisioni i Çështjeve rekomandoi që Kosova të ftohet për t'u bërë anëtar. Ky është një hap i rëndësishëm. Anëtarësimi ynë në Këshillin e Evropës do të ishte një lajm i mirë për ne, për demokracinë dhe vlerat evropiane”, shkroi Bislimi.Për më tepër, opinioni kërkon largimin e fusnotës nga denominimi i Kosovës, fusnotë e cila është përdorur që nga viti 2008 në çdo raport dhe komunikim mbi dhe me Kosovën. Gjithashtu, rekomandohet që Kosova të ftohet si shtet (state), sipas nenit 4 të Statutit të KiE, dhe jo si vend (country), sipas nenit 5. Suksesi i sotëm hap rrugën për votimin e opinionit në sesionin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i cili do të mbahet në Strasburg në javën e 15 prillit. Pas votimit të suksesshëm aty, opinioni do t’i dërgohet Komitetit të Ministrave të cilët duhet të votojnë për anëtarësimin e Kosovës në ministerialin e radhës që do të mbahet në maj të këtij viti. Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ketë ndikim të jashtëzakonshëm në promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjitha komuniteteve të vendit.