Së fundmi kemi parë që Komuna e Prishtinës ka dërguar faturat për tremujorin e dytë të vitit (Prill, Maj, Qershor) së bashku edhe me paralajmërim për dërgim në përmbarim në rast të mos pagesave.
Dërgimi i faturave dhe njoftimit për mos pagesa për vitin 2025 janë të kundërligjshme sepse të njëjtat bien ndesh me Rregulloren për menaxhimin e mbeturinave në Komunën e Prishtinës. Kjo për faktin se me Rregulloren Nr. 01-030/01-227581/23, dt. 1.12.2023 për Menaxhimin e Mbeturinave dhe Rregulloren Nr.01-030/01-161704/24 dt. 06.12.2024 për ndryshimin dhe plotësimin e Rregullores për menaxhimin e mbeturinave Nr. 01-030/01-227581/23, dt. 1.12.2023, KRM “Pastrimi” është kompetente për faturimin dhe inkasimin e tarifave të shërbimit.
Kjo bazuar në nenin 4 të ndryshim plotësimit të rregullores (lidhur me nenin 14, paragrafi 2 të Rregullores bazike) përcaktohet që: “Faturimi i taksës së mbeturinave për amvisëri apo njësi banimi bëhet në baza mujore nga kompania “Pastrimi” SH.A, kurse fatura i dorëzohet gjenerueist të mbeturinave përmes inkasantëve të Kompanisë Regjionale “Pastrimi” SH. A. më së largu deri në ditën e dhjetë (100 të muajit pasues) dhe pagesa nga gjeneruesi i bëhet direkt kompanisë Pastrimi SH.A. përveç kategorive të liruara me ligj për të cilat do të kryhen pagesa nga Komuna e Prishtinës Ndërmarrjes publike Pastrimi”. Tutje në nenin 2 të rregullores për ndryshim plotësim të rregullores bazike (lidhur me nenin 7 të rregullores bazike) në paragrafin 3 përcaktohet që: “Operatori publik i kontraktuar nga Komuna e Prishtinës sipas nenit 16 paragrafi 2 të rregullores bazë, është i obliguar të regjistrojë dhe mbajë regjistër të klientëve të amvisërisë dhe bizneseve dhe njofton Komunën sipas kërkesës së saj me përditësimin e regjistrit të klientëve”.
Andaj në kuptim të kësaj baze ligjore, nga ana e KRM “Pastrimi” është bërë edhe njoftimi për ata të cilët nuk paguajnë tarifat e mbeturinave nga janari 2025 e tutje do të procedohen tek Përmbaruesit Privat. Kjo është bërë duke u mbështetur në përcaktimet ligjore të Ligjit për Procedurën Përmbarimore, respektivisht nenit 29, paragrafi 1, nënparagrai 1.2 dhe 1.3, ku citohet që: “Përmbarimi me qëllim të realizimit të kërkesës në të holla caktohet edhe në bazë të dokumentit të besueshëm. Dokument i besueshëm, sipas këtij ligji është:…. ekstraktet e verifikuara nga librat afariste për pagesat e shërbimeve komunale të furnizimit me ujë, energji elektrike dhe bartjen e mbeturinave; …. faturat”. KRM “Pastrimi” ka të drejtë të gjeneruesve të mbeturinave që nuk kryejnë pagesat ti dërgojë në procedurë përmbarimore. Në të kundërtën me këtë bazë ligjore çdo pagesë e bërë nga Komuna e Prishtinës përbënë shkelje ligjore dhe pasurim i pabazë, dhe si qytetarë keni të drejtë të ndjekni rrugë ligjore apo pranë organeve tjera sepse veprimet e komunës nuk kanë asnjë bazë ligjore.
Nga 01 janari 2025 e deri më sot, KRM “Pastrimi” është duke kryer shërbim në tërë territorin e Prishtinës derisa deri më tani nuk kemi pranuar asnjë pagesë nga Komuna e në veçanti një numër shumë i vogël i pagesave është bërë nga vetë qytetarët. Për shërbimin e kryer për këtë periudhë jemi pa inkasim të vlerës 2,157,600.00 Euro, të cilat seriozisht rrezikojn të pamundësojnë kryerjen e shërbimeve dhe obligimeve që kemi duke e pasur parasysh që të gjitha shpenzimet janë barrë e Pastrimit dhe jo Komunës (deponi, derivate, pagat e punëtorëve, et.)
Ky keqinformim i qytetarëve është duke ardhë si rrjedhojë e veprimeve të kundërligjshme të Komunës së Prishitnës me tendencë të rëndimit të gjendjes financiare të kompanisë dhe për të ja pamundësuar operimin KRM “Pastrimi” me të vetmin qëllim që ti hapin rrugë kontratave të kundërligjshme të angazhimit të operatorëve privat me vlerë mbi 18.5 milion euro për vetëm 3 vite.
Së fundmi rreth kësaj çështje dje më datë 07.04.2025 zyrtarisht kam drejtuar shqetësimet tek Kryetari i Komunës Përparim Rama për ta njoftuar me veprimet e kundërligjshme që janë duke ndodhur tani, në mënyrë që të veprojnë deri më datë 20.04.2025 dhe të njoftojnë qytetarët me atë çfarë realisht përcaktohet për pagesat që duhet të bëhen në KRM “Pastrimi”, e që në radhë të parë të qartësojnë qytetarët duke mos i lënë në mjegull me keqinformimet e fundit, e në radhë të dytë të ndalojnë dëmtimin e çëllimshëm financiar edhe të qytetarëve përmes kostove shtesë që mund të vijn nga përmbaruesit privat dhe dëmin që i krijojnë KRM “Pastrimi” SH.A.
Pas datës 20.04.2025 ne do të procedojmë të gjithë ata që nuk kanë paguar obligimet e tarifave për këtë periudhë kohore tek Përmbaruesi Privat. Ndërkaq sa i përket thirrjeve të Komunës dhe komunikimeve zyrtare që keqinformojnë qytetarët si në rastet kur zyrtarë të DSHP-së përmes emailave zyrtare si dhe faturave dhe vërejtjeve të dërguara përmes postës, ju njoftojmë që peshën e përgjegjësisë financiare dhe përgjegjësisë ligjore do ta bart Kryetar i Komunës dhe pjesa tjetër e menaxhmentit të Komunës.

