Sot, me datë 18 shkurt 2025 AVONET mbajti një koferencë për media, në lidhje me anulimin e pëlqimit të PZHK-së, Ferizaj, ku deklaroi si në vijim:
Fillimisht, AVONET ju falenderon për përgjigjjen tuaj pozitive për pjesëmarrje në këtë konferencë për media.
Kjo konferencë për media ndërlidhet me anulim e pëlqimit të Planit Zhvillimor Komunal 2017-2025, nga vendimet e gjykatave të Kosovës. Pëlqimi i PZHK-së është lëshuar nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, pas zhvillimit të kundërligjshëm të procedurës administrative nga ana e Komunës së Ferizajt në lidhje me miratimin e këtij dokumenti hapësinor strategjik. Komuna e Ferizajt, konkretisht Drejtoria e Mjedisit dhe e Urbanizmit, e udhëhequr asaj kohe nga z. Faik Grainca, me datë 31.08.2017 ka dorëzuar të gjithë materialin e PZHK-së, për dhënien e pëlqimit në MMPHI, ashtu siç parashihet në normën e nenit 11, paragrafit 1.9 të Ligjit pozitiv për Planifikim Hapësinor, me qëllim që këtij dokumenti të i jep fuqi juridike. Për habi, me nguti të paprecedentë pikërisht në të njejtën datë, pra me datë 31.08.2017, Departamenti i Planifikimit Hapësinor, Ndërtmit dhe Banimit, pranë MMPHI-së, pa analizuar fare materialin e dδrguar nga Komuna e Ferizajit, lëshoi vendimin për dhënien e pëlqimit për miratimin e Planit Zhvillimor Komunal 2017-2025 të Komunës së Ferizajt, edhe pse në shqyrtim kishte qindra e qindra faqe të PZHK-së dhe dokumenteve tjera përcjellëse. Pra, është e çudtitëshme se si qindra faqe u shqyrtuan brenda ditës nga MMPHI!
Vendimet e gjykatave në lidhje me këtë çështje konstatuan se miratimi nga Komuna e Ferizajt dhe dhënia e pëlqimit të PZHK-së nga MMPHI, ishte i zhvilluar në procedura të kundërligjshme, të cilat u shoqëruan edhe me falsifikim të dokumenteve zyrtare dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare nga zyrtarët publik të cilët zhvilluan këto procese.
Këto shkelje ligjore të konstatuara nga gjykatat që trajtuan këtë çështje, nuk janë shkelje ligjore thjeshtë të natyrës administrative, por ato janë shkleje ligjore të përcjellura me falsifikim dhe dorëzim të dokumenteve me përmbajtje të rreme në MMPHI, nga zyrtarët e Komunës së Ferizajt, shkelje të cilat janë shkelje të natyrës juridiko-penale, të sanksionueshme nga dispozitat materiale penale të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Pasojat e këtyre shkeljeve ligjore janë jashtëzakonisht të mëdha, për faktin se që nga viti 2017 deri në këto momente kur ne po flasim, Komuna e Ferizajt ka lëshuar qindra e qindra leje ndërtimore të ndërtimit të lartë, me bazë ligjore të kundërligjshme, për faktin se me rastin e aprovimit të kushteve dhe të lejeve ndërtimore, aprovimi i të cilave i paraprin aprovimit të vendimit të lejes ndërtimore, Komuna e Ferizajt është mbështetur dhe bazuar në PZHK.
Ndërsa, sipas nenit 15 të Ligjit pozitiv për Planifikim Hapësinor, Njoftimit të datës 06.04.2018, lëshuar nga ish-drejtori i DUM-Ferizaj, z. Lulzim Aliu, thuhet qartë se PZHK është një dokument apo plan zhvillimor strategjik, ku duke u bazur në atë nuk mund të jepen kushtet urbane ndërtimore, rrjedhimisht nuk mund të lëshohet vendim për aprovimin e një leje ndërtimore. Kushtet ndërtimore mund të aprovohen duke u bazuar vetëm në planet e hollësishme urbane, pra vetëm duke u bazuar në Plane Rregulluese Urbane apo në Harta Zonale.
Gjatë gjithë kësaj kohe, pra nga viti 2017, Komuna e Ferizajt ka deklaruar se Planet Rregulluese Urbane janë shfuqizuar, rrjedhimisht ajo nuk mund të jep leje ndërtimore duke u bazuar në ato, por në anën tjetër nga interepretimi i MMPHI-së i datës 08.06.2018, i cili mbështetet në normën e nenit 26, paragrafit 7 të Ligjit për Planifikim Hapësinor, thuhet se dokumentet ekzistuese të planifikimit hapësinor (PRRU-të), të cilat janë të miratuara mbeten në fuqi deri sa të harmonizohen me dispozitat e ligjit pozitiv për planifikim hapësinor. Gjithashtu, vendimet e gjykatave, konkretish vendimi A.nr.1497/2020, konstaton se PRRU-të kanë qenë dhe mbeten në fuqi edhe në këto momente kur ne po japim këtë deklaratë, dhe se miratimi i PZHK-së në vitin 2017 nuk ka shfuqizuar planet rregulluese urbane – PRRU, për faktin se PZHK dhe PRRU-të nuk i përkasin një kategorie të njejtë ligjore, pra ato janë kategori të ndryshme ligjore, dhe se aprovimi i PZHK-së nuk ka abroguar apo deroguar Planet Rregulluese Urbane. Në këtë drejtim, AVONET konsideron se të gjitha kushtet ndërtimore të ndërtimit të lartë të bazuara në PZHK dhe lejet e ndërtimore të lëshuara nga viti 2017, 2018, 2019, 2020, 2021, 2022, 2023, 2024 dhe 2025 janë të kundërligjshme.
AVONET nga burimet e saja posedon edhe disa komunikime zyrtare të brendshme në mes zyrtarëve të Komunës së Ferizajt, të cilat konfirmojnë se për lëshimin e kushteve ndërtimore, Komuna e Ferizajt duhet të mbështetet në PRRU. Pra, duhet të i zbatoj dokumentet e planifikimit të hollësishëm të cilat kanë qenë dhe janë në fuqi. Gjithashtu, pas miratimit të PZHK-së, Komuna e Ferizajt edhe pse ka qenë ligjërisht e detyruar që brenda 9 muajve të i miratoj planet e hollësishme urbane – hartat zonale, ajo qëllimisht për 7 vite nuk i ka miratuar, vetëm e vetëm që të lëshoj këto qindra leje ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme.
Gjatë gjithë kësaj kohe, pra që nga viti 2017 e në vazhdimësi Komuna e Ferizajt ka qenë e njoftuar për këto shkelje ligjore, por kjo nuk ju ka bërë përshtypje zyrtarëve të Komunës së Ferizajt, ata me dashje të drejtëpërdrejtë dhe në dijeni të plotë, në cilësinë e personave zyrtare kanë vazhduar të shkelin dispozitat ligjore, në lidhje me lëshimin e qindra lejeve ndërtimore. Në këtë drejtim, të gjitha vendimet e lejeve ndërtimore të larta, të lëshuara nga Komuna e Ferizajt, që nga viti 2017, duke u mbështetur në PZHK dhe jo në dokumenta të planifikimit të cilat kanë qenë të aprovuara dhe në fuqi, ku përfshihen edhe PRRU-të, janë të kundërligjshme.
Të gjitha këto ndërtime të realizuar në qytetin tonë, të cilat janë derivat i veprimeve dhe vendimeve joligjore të zyrtarëve të Komunës së Ferizajt, kanë shkaktuar një kaos urban në këtë qytet, e nëse bëhet një analizë e thjeshtë mund të thuhet se vlera e tyre varion në qindra miliona euro, e këtu dyshohet edhe për përfitime milionëshe për investitorët dhe të zyrtarëve përgjegjës të Komunës së Ferizajt, pa përjashtuar këtu edhe zyrtarët përgjegjës të MMPHI-së.
Dëmet e shkaktuara nga këta zyrtarë janë dëme të pariparueshme dhe të njejtat po vështirsojnë jashtëzakonisht shumë edhe jetët e qytetarëve të këtij qyteti, pra këto dëme në adresë të fundit po dëmtojnë vetë qytetarët. Andaj, duke marrë për bazë faktin se dipozitat aktuale procedurale penale në fuqi, parashohin që parashkrimi (vjetërsimi) relativ për veprimet penale, në kuptim të veprave penale kundër pozitës apo autoritetit zyrtar është 10 vite, kurse ai absolut 20 vite, të gjithë qytetarët që mendojnë dhe dyshojnë që janë dëmtuar si rezultat i ndonjë vendimi për leje ndërtimore të larta mund të parashtrojnë kallëzime penale pranë prokurorisë kompetente. Gjithashtu, nëse qytetarët mendojnë se kanë pësuar dëme të natyës materiale apo jo-materiale, përmes inicimit të kontestit juridiko-civil mund të realizojnë të drejtat e tyre ligjore, duke kërkuar shpërblimin për dëmin e shkaktuar.
AVONET ka informacione se për këto veprime dhe shkelje të rënda ligjore disa persona përgjegjës të Komunës së Ferizajt, po ndjeken penalisht nga organet e ndjekjes penale, ku disave tashmë ju janë konfirmuar aktakuzat, kurse ndaj disa të tjerëve po zhvillohet procedurë penale hetimore. Konkretisht, personave të cilëve ju është konfirmuar aktakuza po akuzohen për falsifikim të dokumenteve dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare, ku procesi penal po zhvillohet pranë gjykatës kompetente, ndërsa personat tjerë zyrtarë po dyshohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si rezultat i lëshimmit të disa lejeve ndërtimore në mënyrë të kundërligjshme.
Duke u mbështetur në të gjitha këto prova, fakte dhe argumente të cilat ne sot i prezentuam përmes kësaj deklarate, të cilat janë të konfirmuara edhe nga vendimet gjyqësore të formës së prerë, AVONET konsideron se të gjitha këto duhet të jenë një alarm për Prokurorinë e Shtetit, që sipas detyrës zyrtare (ex officio) të ndërmerr masat e nevojshme hetimore, me qëllim vendosjen para përgjegjësisë penalo-ligjore të të gjithë personave përgjegjës, për faktin se të njejtit gjatë gjithë kohës që nga viti 2017, në cilësinë e personave zyrtar, gjatë ushtrimit të detyrave të tyre zyrtare, me qëllim, dashje dhe vetëdije të drejtëpërdrejtë, kanë lëshuar kundërligjshëm vendime të lejeve ndërtimore, edhe pse kanë qenë të njoftuar në vazhdimësi se këto veprime kanë qenë të kundërligjshme.
AVONET, vlerëson se të gjitha këto ndërtime të larta ekzistuese, përveçse janë të kundërligjshme, ato reflektojnë një shkatrrim urban të qytetit të Ferizajt, sepse shumica e këtyre ndërtesave janë pa hapësira të mjaftueshme gjelbëruese, pa hapësira për dalje emergjente, pa hapësira të mjaftueshme parkimi, ndërsa sa i përketë tërmeteve të mundëshme askush nuk mundet të vlerësoj rrezikun potencial të tyre. Poashtu, për fat të keq të qytetarëve të këtij qyteti disa nga këto objekte të larta janë ndërtuar për skaj të oborreve të disa shkollave, ku rreziku mund të jetë permanent për nxënësit.
AVONET, ju njofton se sot ka kërkuar nga Zyrtari Kryesor Administrativ i Komunës së Ferizajt, Kryetari z. Agim Aliu, që urgjentisht të pezulloj çdo vendim të kushteve dhe vendimeve të lejeve ndërtimore të lëshuar me këtë bazë të kundërligjshme ligjore dhe të ndaloj lëshim e vendimeve të lejeve dhe kushteve ndërtimore në këtë bazë të kundërligjshme, për faktin se dëmet që janë shkaktuar dhe potencialisht mund të shkaktohen janë të pariparueshme dhe se i dëmtuari më i madh do jetë qytetari, dhe si Kryetar ka përgjegjësi ligjore mbi ndërmarrjen e këtyre veprimeve.
AVONET përgëzon qytetarët e Ferizajt të angazhuar në këtë rast që për 7 vite me rradhë, treguan përkushtim, angazhim, guxim dhe punë të palodhëshme, me qëllim realizimin e drejtave të tyre ligjore dhe zbardhjen e së vërtetës në këtë rast, ku të gjitha provat dhe argumentet e tyre të prezentuara u vërtetuan tashmë nga vendimet e gjykatave.
Për fund, AVONET deklaron se nuk është asnjëherë kundër ndërtimeve dhe zhvillimit urban të qytetit të Ferizajt, por ka qenë është dhe do të mbetet gjithmonë kundër lëshimit të vendimeve të lejeve ndërtimore në kundërshtim me dispozitat ligjore të legjislacionit të aplikueshëm. AVONET është shumë e shqetësuar me shkatërrimin apo degradimin e qytetit të Ferizajt, i cili degradim dhe shkatërrim urban do të shkaktoj pasoja të pariparueshme për qytetarët të cilët do jetojnë në të ardhmen në këtë qytet.
Me respekt,
Rrjeti i OJQ-ve AVONET

