Ministri Murati takohet me sipërmarrësin e njohur izraelit, Z. Eyal Waldman
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, z. Hekuran Murati mbajti sot një takim me sipërmarrësin e njohur, z. Eyal Waldman, themelues i kompanisë Waldo Holdings dhe ish – Kryeshef Ekzekutiv i kompanisë Mellanox, biznese këto me prani në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Mbretëri të Bashkuar dhe Izrael.
Në këtë takim u diskutuan mundësitë për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Izraelit, me theks të veçantë tek eksperienca shumëvjeçare e z. Waldman në fushat e inovacionit dhe teknologjisë informative.
Ministri Murati e njoftoi z. Waldman për përparimin e Kosovës në fushën e teknologjisë dhe me kushtet e të bërit biznes që ofron vendi. Gjithashtu, Ministri Murati shprehu gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me bizneset izraelite në projekte të përbashkëta që kontribuojnë në rritjen e investimeve dhe shkëmbimeve tregtare.
Nga ana e tij, sipërmarrësi z. Waldman njoftoi Ministrin Murati mbi punën e kompanisë së tij si dhe potencialin për të investuar në Kosovë për të shfrytëzuar potencialin ekonomik që ofron vendi.
Kujtojmë se në tetor të vitit 2023, Ministri Murati u takua me Ambasadoren e Izraelit në Kosovë, znj. Tamar Ziv, ku mes tjerash ftoi bizneset izraelite të investojnë në Kosovë.
Me respekt nga:
Zyra e Komunikimit Publik
MINISTRIA E FINANCAVE, PUNES DHE TRANSFEREVE
( +381 38 200 34 008;
þ mf.rks-gov.net ; https://ptmf.rks-gov.net