Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës e përmbylli vitin 2023 me +87.7 milionë euro kthim bruto nga investimet. Ky ishte viti i 19-të, nga gjithsej 22 vite të operimit, ku institucioni del me rezultat pozitiv nga investimi i kursimeve pensionale. Kjo shpiu në +750 milionë euro kthim të gjithmbarshëm bruto prej themelimit.
Arkëtimi i kontributeve të reja në 2023-shin, në vlerë 286 milionë euro, pasqyron një rritje rekorde krahasuar me vitin paraprak, si në vlerë nominale (+44 milionë euro) por edhe si përqindje (+18.2%).
Kontributet e reja, bashkë me kthimin në investime, ndryshe nga tërheqjet e kursimeve dhe tarifat, kanë kontribuuar pozitivisht që mjetet neto nën menaxhim të FKPK-së të rriten sivjet për +291 milionë euro dhe ta kështu tejkalojnë vlerën e 2.7 miliardë eurove.
Tabela 1: Ndryshimi i mjeteve neto nën menaxhim
Portofoli | 2023 | 2022 | Ndryshimi |
Standard | €2,570,540,691 | €2,316,363,920 | €254,176,771 |
Konservativ | €131,267,932 | €94,812,043 | €36,455,889 |
Gjithsej | €2,701,810,646 | €2,411,177,985 | €290,632,660 |
Sikurse e kemi bërë të ditur vitin e kaluar, FKPK-ja prej vitit 2022 operon me dy portofole investuese: (1) Portofolin Standard – për kontribuuesit nën moshën 63 vjeçare; dhe (2) Portofolin Konservativ – për kontribuuesit e moshës 63 vjeçare e sipër; dhe raportimet për këto dy portofole, që edhe kanë performancë të ndryshme, bëhen të ndara.
Tabela 2: Kthimet bruto nga investimet për 2021-2023
Portofoli | 2023 | 2022 | 2021 | 2021-2023 |
Standard | €83,010,837 | -€121,600,526 | €227,333,617 | €188,743,928 |
Konservativ | €4,652,708 | €2,719,123 | – | €7,371,831 |
Gjithsej | €87,663,545 | -€118,881,403 | €227,333,617 | €196,115,759 |
PORTOFOLI STANDARD
Performanca e investimeve për Portofolin Standard për vitin 2023 ishte +3.05% (2022: ‑5.54%; 2021: +10.65%). Synimi i këtij portofoli është që në afatgjatë ta tejkalojë indeksin e çmimeve të konsumit (ndryshe inflacionin) në Kosovë. Aktualisht çmimi i njësisë së këtij portofoli është ngritur për 67.6% prej themelimit, ndërsa inflacioni në Kosovë për 70.2%.
Bordi Drejtues, i emëruar në detyrë prej 13 korrikut 2023, e ka ruajtur përgjithësisht qasjen e ndërmarrjes së riskut të ulët në investimet e Portofolit Standard nga Bordi paraprak. Kjo meqë gjendja e përgjithshme ekonomiko-financiare dhe gjeopolitike ishte dukshëm e ngarkuar nga ngjarje me potencial të lartë të ndikimit negativ në performancën investuese. Kjo qasje pritet të rishikohet gjatë vitit 2024.
PORTOFOLI KONSERVATIV
Në Portofolin Konservativ kishim ngritje prej +3.47% të çmimit të njësisë për vitin 2023 (2022: +2.94%). Për shkak se investimet e këtij portofoli janë vetëm në fletobligacionet e Qeverisë së Kosovës ato nuk ndikohen nga ndryshimet në tregjet financiare, rrjedhimisht kanë stabilitet më të lartë. Kthimi bruto i këtij Portofoli nga fillimi (shkurt 2022) ka arritur në 5.1 milionë euro. Qëllimi i këtij portofoli është që të ruajë vlerën e kursimeve pensionale nga lëvizjet në tregjet financiare të kontribuuesve që janë shumë afër pensionimit dhe nuk mund të kenë kohë të mjaftueshme të rikuperimit nga luhatjet e forta negative në tregjet financiare globale.
PRITSHMËRITË PËR 2024
Ekziston një vlerësim që ngritja e përgjithshme ekonomike globale për vitin 2024 do të jetë rreth 2.4%. Ky parashikim vlerëson se kështu do të jetë viti i tretë rresht që ekonomia globale do të ketë regres në ngritjen ekonomike. Nën këto kushte, dhe në vlerësim të rreziqeve gjeopolitike në rritje, Bordi Drejtues i FKPK-së pritet të vazhdojë me vendime investuese që ndërmarrin risk të moderuar investues. Gjithsesi se vendimi më i rëndësishëm i vitit në vijim do të jetë inicimi i zbatimit të portofolit të tretë investues, për të cilin do të ketë njoftime të detajuara para fillimit të tij.
Tabela 3: Përmbledhje e treguesve kryesorë për 2022 dhe 2023
TREGUESI | 2023 | 2022 |
Kthimi bruto për vitin (dyja portofolet) | +€88 milionë | -€122 milionë |
Kthimi bruto prej themelimit | +€750 milionë | +€662 milionë |
Mjetet neto nën menaxhim | €2,700 milionë | €2,400 milionë |
Çmimi i njësisë – Portofoli Standard | €1.6764 | €1.6268* |
Çmimi i njësisë – Portofoli Konservativ | €2.1302 | €2.0588* |
Kontribute të arkëtuara për vitin | €286 milionë | €241 milionë |
Pagesa të pensioneve për vitin | €66 milionë | €55 milionë |
Të pensionuar gjatë vitit | 7,703 | 7,131 |
Llogari të pjesëmarrësve | 834,251 | 792,995 |
Llogari aktive për vitin | 442,383 | 428,891 |
Mjete në tregjet globale | €2,013,518,137 | €1,689,250,011 |
Mjete në fletobligacionet e Kosovës | €447,135,504 | €553,752,102 |
Mjete në bankat në Kosovë | €92,533,913 | €137,916,925 |
Paraja e gatshme | €149,901,531 | €31,133,146 |
Tarifa për investime | 0.32% | 0.32% |
Tarifa për operacione | 0.05% | 0.057% |
*Portofoli Standard ka filluar më 1 gusht 2002 me çmimin fillestar €1.00 për njësi.
Portofoli Konservativ ka filluar më 16 shkurt 2022 me çmimin fillestar €2.00 për njësi.
Fondi i Kursimeve Pensionale i Kosovës
Kontakt:
Adresa: Rr. “Agim Ramadani”
Nr. #182-184, Prishtinë
Tel: 038-600-020 ext. 206
E-mail: [email protected]
Ueb: www.trusti.org