Komunikatë për Media nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve

OTS

Komunikatë për Media nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve

October 11, 2023
Burimi:
KosovaPress OTS

Ministri Murati takohet me drejtues të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore

 Ministri Murati gjatë Takimeve Vjetore të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar që po mbahen në Marakesh të Marokos është takuar me z. Bo Li, zëvendës Drejtor Menaxhues i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), z. Alfred Kammer, Drejtor për Evropë nga FMN, si dhe znj. Antonella Bassani, zëvendëse Presidente për regjionin e Evropës dhe Azisë nga Banka Botërore. Në këto takime, janë diskutuar një sërë çështjesh që lidhen me ecuritë e fundit ekonomike e fiskale, pritjet për vitin e ardhshëm dhe vitet në vijim si dhe për bashkëpunimin midis Ministrisë së Financave, Punë dhe Transfereve dhe FMN-së e Bankës Botërore.

Për sa i përket zhvillimeve gjatë vitit 2023, Ministri Murati theksoi se përkundër vështirësive që vijnë nga ambienti i jashtëm, vlerësimet më të fundit tregojnë se rritja ekonomike do të jetë solide. Ministri Murati po ashtu informoi përfaqësuesit e lartë të FMN-së dhe Bankës Botërore për përformancën e mbledhjes së të hyrave buxhetore, me theks të veçantë tek të hyrat tatimore. Ai tha se ky është viti i tretë me radhë ku të hyrat tatimore kanë rritje dyshifrore, kjo falë aktivitetit të shtuar ekonomik dhe rritjes së eficiencës në mbledhjen e tatimeve.

Gjatë takimeve u diskutuan edhe portfoliot e projekteve aktive dhe atyre në proces, ku përfaqësuesit falënderun Ministrin Murati për angazhimin e tij të drejtpërdrejt në përshpejtimin e ekzekutimit të projekteve ekzistuese.

Së fundmi, përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe FMN theksuan se projektet që janë negociuar dhe paraqitur në Kuvend për votim janë kredibile dhe me ndikim të konsiderueshëm për ekonominë e Kosovës, prandaj edhe votimi i tyre nga Kuvendi i Kosovës është tejet i rëndësishëm.

 

Me respekt nga:

Zyra e Komunikimit Publik

MINISTRIA E FINANCAVE, PUNES DHE TRANSFEREVE

(  +381 38 200 34 008;

*  [email protected] ;  þ  mf.rks-gov.net ;  https://ptmf.rks-gov.net