Prishtinë, 12 maj 2023
Kosova nga tani përfituese e programit të Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët”, me vlerë 4.2 miliardë euro
Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj. Rozeta Hajdari dhe drejtorja e përgjithshme për Tregun e Brendshëm të Bashkimit Evropian, Industrinë, Ndërmarrësinë dhe Ndërmarrjet e Vogla e të Mesme (DG GROW), znj. Kerstin Jorna, në ambientet e Komisionit Evropian në Bruksel kanë nënshkruar marrëveshjen për përfshirjen e Republikës së Kosovës në programin e Bashkimit Evropian “Tregu i Përbashkët”.
Pjesëmarrja në programin e BE-së “Tregu i Përbashkët” për Kosovën është një hap shumë i rëndësishëm drejt procesit të integrimit të Kosovës në Bashkim Evropian. Programi në fjalë është njëri ndër programet më të mëdha mbështetës që posedon Bashkimi Evropian dhe si i tillë synon fuqizimin e mbikëqyrjes së tregut të brendshëm, përmirësimin e konkurrueshmërisë së industrisë, në veçanti të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, mbrojtjen e konsumatorit përfshirë sigurinë e ushqimit, përmirësimin e statistikave dhe përmirësimin e sektorit financiar.
Kjo do të thotë se bizneset dhe organizatat e Kosovës mund të ndërveprojnë me bizneset dhe organizatat e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian dhe shteteve jo anëtare, që janë pjesëmarrëse të pjesshme ose të plota në këtë program.
Programi “Tregu i Përbashkët” do të mbështesë sektorët e sipërpërmendur me një buxhet prej 4.2 miliardë euro për periudhën kohore 2021-2027, e që nga tani bizneset dhe organizatat vendore mund të përfitojnë nga ky program.
Në lidhje me mënyrën e aplikimit dhe përfitimit nga ky program bizneset dhe organizatat vendore do të njoftohen me kohë nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në mënyrë që ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë mundësi shumë domethënëse për zhvillimin e përgjithshëm dhe transformimin ekonomik të vendit tonë.
Me nderime,
Divizioni për Komunikim Publik
TEL: +383 (0)38 200 36512
+383 (0)38 200 36543
EMAIL: [email protected]
ADD: Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë
Lagjja e Spitalit, rr.”Arbënor e Astrit Dehari”, nr. 21, 10000 – Prishtinë/ Republika e Kosovës