Dërgohet në Kuvend propozimi për ndarjen e 275 mijë eurove për mbështetjen e lehonave, personave me aftësi të kufizuar, bizneseve dhe praktikantëve
Gjilan (KosovaPress OTS), 19 prill 2023 / Komiteti për Politikë dhe Financa (KPF) ka mbajtur sot takimin e radhës, nën drejtimin e Arianit Sadikut, kryesues i Kuvendit Komunal, ku ka shqyrtuar dhe rekomanduar për Kuvend raportin financiar janar-mars 2023, informatën për manifestimin “Flaka e Janarit” 2023, projekt rregulloren për ndarjen e bursave për studentë, projekt rregulloren për të drejtat, detyrimet, disiplinën dhe përgjegjësitë e nxënësve në shkollat fillore, projekt rregulloren mbi përgjegjësinë disiplinore të nëpunësve në institucionet edukativo-arsimore dhe aftësuese.
Po ashtu KPF ka rekomanduar për Kuvend edhe propozim vendimin për miratimin e komisionit për përzgjedhjen e drejtoreve dhe zëvendës drejtorëve në shkollat me mësim në gjuhën serbe, si dhe raportet e punës të Komiteteve për vitin 2022, përkatësisht planet e punës së këtyre trupave të Kuvendit për vitin 2023.
Njëherësh, KPF ka miratuar edhe kërkesën e drejtorit të Buxhetit, Riad Rashiti, që ka të bëjë me ndarjen e 275 mijë eurove nga buxheti i Komunës, për mbështetjen e grave lehona, personave me aftësi të kufizuar, bizneseve që udhëhiqen nga gratë, bizneseve start-up të të rinjve si dhe për punësimin e praktikantëve.
Po ashtu, pas një debati të gjerë për dhe kundër, KPF ka rekomanduar për Kuvend edhe kërkesën e Avdyl Aliut, të përkrahur nga grupi i këshilltarëve LDK-AAK si dhe të rekomanduar edhe nga Komiteti përkatës, për ndarjen e një shume prej 10 mijë euro për KV ‘Drita’ (M), i cili është në rrugë të mirë për t`u bërë kampion.
Sa i përket propozimit për faljen e borxhit nga tatimi në pronë, Arianit Sadiku, kryesues, ka thënë se Komisioni Parlamentar e ka kaluar kërkesën dhe pritet të miratohet shpejt.
Ndërkaq sa i përket rrugës hyrëse-dalëse Gjilan-Bujanoc, ku punimet po zgjasin shumë, Sadiku tha se kanë marrë premtime që njëra krosi do të përfundojë deri në qershor.
……………………………………………………………………….
Me respekt
Zyra për Informim
Komuna e Gjilanit – Zyra e Kryetarit
Rruga “Bulevardi i Pavarësisë”, Gjilan – 60000, Kosovë
E-mail: [email protected]
Tel: +383 44 144 911
Fix: 0280 321 486
Uebsajti zyrtar i Komunës: kk.rks-gov.net/gjilan