Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna ka kritikuar qeverinë për mungesën e masave efektive që mbështesin bizneset, duke theksuar se politika fiskale nuk ka ndryshuar që nga pandemia. Ai ka kërkuar që të miratohen lehtësira dhe ndryshime në TVSh, si dhe reformë të thelluar të politikave fiskale – për të krijuar një mjedis më të favorshëm për zhvillimin e bizneseve.
Në një intervistë për KosovaPress, Rafuna është shprehur i shqetësuar për gjendjen e vështirë të bizneseve në Kosovë, duke theksuar se investimet kapitale, që janë thelbësore për zhvillimin ekonomik, nuk janë realizuar gjatë mandatit të kësaj qeverie.
Ai ka vënë në dukje se nuk ka asnjë projekt konkret që mund të konsiderohet si sukses, ndërkohë që investimet kapitale, të cilat janë paraparë me ligjin e buxhetit, nuk janë realizuar siç duhej.
Rafuna, gjithashtu, ka theksuar se, edhe pse diaspora ka kontribuar me investime, ato janë fokusuar kryesisht në sektorin e paluajtshmërive. Sipas tij, kjo ka rezultuar në një zhvillim ekonomik që nuk është i qëndrueshëm, pasi investimet në këtë sektor nuk krijojnë vende të qëndrueshme pune dhe nuk stimulojnë rritjen afatgjatë të ekonomisë.
“Nuk është se ka pas ndonjë përkrahje për bizneset. Në qoftë se shohim në kuptimin e politikave fiskale, që rreth katër apo pesë vite prej pandemisë, që nga ajo kohë nuk është bërë më asnjë freskim i politikave fiskale, përkundër që ka qenë kërkesa jonë që të ketë ende më shumë lirime, shkallëzim të TVSh-së, të ketë një reformim serish të TVSh-së, nuk kemi pas një transparencë, dialog sa i përket sjelljes së ligjeve…Ka mbizotëruar një pasiguri totale juridike sa i përket biznesit”, ka thënë Rafuna.
Rafuna ka vlerësuar se ngecjet më të mëdha kanë qenë tek pjesa e investimeve kapitale të cilat sipas tij nuk janë realizuar.
Ai ka theksuar se diaspora ka luajtur një rol të rëndësishëm në investime, por sipas tij, në sektorin e paluajtshmerisë.
Sipas tij, këto investime duhet të kthehen në projekte konkrete zhvillimore që do të kishin përfitime të drejtpërdrejta për ekonominë e Kosovës.
Ai ka folur edhe për masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian. Sipas tij, dështimi nga sanksionet nuk është vetëm në aspekt material, por edhe në kuptim të imazhit të vendit.
Bashkimi Evropian ka vendosur masa ndëshkuese ndaj Kosovës në qershor të vitit 2023 si rrjedhojë e zhvillimeve politike në veri të vendit.
Këto sanksione kanë hyrë në fuqi më 28 qershor 2023, derisa përfshijnë pezullimin e programit të fondeve për Kosovën, pezullimin e mbështetjes së vazhdueshme për prokurimin dhe nënshkrimin e kontratave, pezullimin e pjesëmarrjes në ngjarjet e nivelit të lartë, pezullimin e vizitave dypalëshe, si dhe propozimin e dorëzuar nga Kosova për kornizën investuese për Ballkanin Perëndimor që nuk do të procedohet në këtë moment.
Intervista e plotë në sistemin me parapagim…
https://kosovapress.com/masat-e-be-se-demtuan-ekonomine-kerkohet-shfuqizimi-i-sanksioneve
https://kosovapress.com/osmani-masat-e-be-se-ndaj-kosoves-po-krijojne-disbalance-ne-dialog