Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar pas vendimeve të fundit të presidentes së Maqedonisë së Veriut për ndryshimet në strukturat komanduese të ushtrisë atje.
Zhvendosjen e gjeneralit Besnik Emini nga posti i komandantit të Komandës së Operacioneve drejt një pozite administrative në Ministrinë e Mbrojtjes, BDI-ja e ka konsideruar “goditje serioze ndaj rolit të shqiptarëve në ushtri”, raporton KosovaPress.
“Kjo lëvizje dobëson strukturën komanduese të ushtrisë dhe rrezikon sigurinë kombëtare”, ka thënë BDI në një reagim publik.
Sipas BDI-së, këto veprime margjinalizojnë shqiptarët dhe cenojnë drejtpërdrejt integritetin dhe sigurinë e strukturave tona mbrojtëse.
“Për më tepër, emërimi i kolonel Lulzim Nuredini në pozitën e Komandantit të Komandës për Trajnim dhe Doktrinë, duket si një përpjekje për të maskuar këtë padrejtësi. Vendosja e një oficeri shqiptar në një pozicion me ndikim të kufizuar nuk kompenson përjashtimin e udhëheqësve shqiptarë nga komandat operative kritike”, ka thënë Bashkimi Demokratik për Integrim – parti opozitare.
Sipas partisë së Ali Ahmetit, “përjashtimi i udhëheqësve ushtarakë shqiptarë nga pozicionet kyçe minon parimet bazë të marrëveshjes paqësore të Ohrit”, përcjellë KosovaPress.
Këto parime, siç ka thënë BDI-ja, janë thelbësore për një forcë ushtarake kohezive dhe efektive.
“Në dritën e këtyre zhvillimeve, BDI i bën thirrje urgjente NATO-s dhe aleatëve tanë ndërkombëtarë që të shqyrtojnë me kujdes këto veprime, të cilat jo vetëm shkelin parimet e përfaqësimit të drejtë, por gjithashtu komprometojnë gatishmërinë operacionale dhe sigurinë e forcave tona të armatosura”, ka thënë BDI.
BDI ka kërkuar rishikim dhe anulim të menjëhershëm të këtyre vendimeve për të siguruar që “udhëheqja jonë ushtarake të reflektojë përbërjen shumëetnike të shtetit tonë dhe të ruajë standardet më të larta të kompetencës dhe përfshirjes”.
Në një njoftim të premten, BDI ka thënë se për herë të parë që nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit, asnjë shqiptar nuk mban pozitat kryesore në ushtrinë e Maqedonisë së Veriut.
“Heqja e gjeneralit të vetëm shqiptar nga Komanda Operative ka lënë shqiptarët pa përfaqësim në katër pozitat më të larta ushtarake. Për më tepër, emërimi i gjeneralëve Jordev dhe Mirce Gjorgevski, të cilët kanë marrë përgjigje negative nga NATO për certifikatat e sigurisë, ngre shqetësime serioze mbi orientimin strategjik të vendit tone”, ka thënë BDI, raporton KosovaPress.
Sipas kësaj partie, zhvillime të tilla sugjerojnë një prirje drejt “udhëheqjes anti-NATO, pro-serbe dhe pro-ruse në ushtri”.
“Për herë të parë, Agjencia e Inteligjencës, Agjencia për Siguri Kombëtare dhe Agjencia Ushtarake nuk kanë asnjë shqiptar në pozita udhëheqëse”, ka thënë kjo parti.
BDI ka thënë se në këtë situatë, partitë shqiptare në qeveri duhet të ndërpresin “rolin e avokatit të politikave antishqiptare dhe përjashtuese”.
“Shqiptarët nuk do mbesin spektatorë por do reagojnë për të mbrojtur veten dhe interesat e tyre”.
https://kosovapress.com/ligji-per-gjuhet-shtyhet-seanca-e-gjykates-kushtetuese