Anëtari i Presidencës së BeH, Denis Beqiroviq deklaroi sot se NATO dhe institucionet shtetërore duhet të jenë të gatshme për të mbrojtur Bosnjën dhe Hercegovinën, për shkak të politikave agresive nga etniteti Republika Serbe dhe Serbia.
Beqiroviq gjatë një takimi sot ka informuar sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Mark Rutte, se udhëheqja e Republikës Serbe po ndërmerr hapa të rrezikshëm që kërcënojnë paqen, pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të BeH-së.
Ai theksoi gjithashtu se Serbia po ndërhyn në mënyrë agresive në punët e brendshme të BeH-së, dhe vendeve tjera të rajonit, me qëllim të riaktivizimit të projektit të Serbisë së madhe.
Ai tha se këtë e vërteton edhe deklarata e të ashtuquajturit Kuvend Gjithëserb, e miratuar vitin e kaluar në Beograd që synon të shkatërrojë shtetin e njohur ndërkombëtarisht të BeH-së dhe të aneksojë entitetin e RS në Serbi.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte tha se do të vazhdojë t’i ofrojë mbështetje të plotë BeH në rrugën e saj euroatlantike. Ai shprehu gjithashtu mbështetjen për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të BeH.
Armiku më i madh i serbëve, ja çfarë thanë Vuçiq e Dodik në Banja Llukë • KosovaPress
Në takim u diskutua edhe mbi kërcënimet rajonale, ndikimin negativ dhe destabilizues të Rusisë në BeH dhe rajon, i cili minon përpjekjet drejt integrimit euroatlantik. U theksua se BeH duhet të qëndrojë e vendosur në rrugën e saj euroatlantike, njofton Presidenca e BeH-së.