Ligji për Dhomat e Specializuara duhet të rishikohet, konsideron ish-këshilltari i ish-presidentit Hashim Thaçi, Artan Behrami. Ai thotë se Gjykata Speciale duhet t’i raportojë Kuvendit të Kosovës, meqë sipas tij në Hagë po bëhet padrejtësi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në intervistën për KosovaPress, Behrami deklaron se është tradhtuar besimi i deputetëve, të cilët kishin votuar për themelimin e Gjykatës Speciale.
“Gjykata Speciale e ka tradhtuar besimin e deputetëve të Republikës së Kosovës dhe pas gjithë atyre padrejtësive, pas gjithë atyre shkeljeve të të drejtave të njeriut, pas gjithë asaj që po ndodhë në Hagë është koha e duhur që Kuvendi i Republikës së Kosovës ta rikthejë edhe njëherë vëmendjen e Gjykatës Speciale në Kuvend, të krijojë mekanizmat të mbikëqyrjes të kësaj gjykate në mënyrë që kjo gjykatë, të mos veprojë siç ka vepruar deri më tani”, thotë Behrami.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vititt 2020. Zyra e Prokurorit të Specializuar i ngrakon ata me krime të pretenduara të luftës.
Gjykata, e cila është votuar nga Kuvendi i Kosovës, e ka selinë në Holandë dhe përbëhet prej gjyqtarëve e prokurorëve ndërkombëtarë.
Në mbledhjen e përbashkët të dy Kuvendeve, të Kosovës dhe Shqipërisë, e cila u mbajt në dhjetor të vitit të kaluar kryeministri shqiptar Edi Rama pati deklaruar se “për çudinë time askush në këtë sallë nuk ka nisur rezolutë kundër Gjykatës Speciale”.
Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Artan Behrami thotë se Kosova ka nevojë të rishikojë Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
“Përtej një rezolute, unë mendoj që Kosova ka nevojë të rishikojë edhe një herë Ligjin për Dhomat e Specializuara të Republikës së Kosovës në mënyrë që Gjykata Speciale t’i raportojë Kuvendit të Republikës së Kosovës që e ka krijuar dhe mos t’i raportojë UNMIK-ut dhe EULEX-it. Në mënyrë që gjykata t’i raportojë institucioneve, Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe jo EULEX-it dhe UNMIK-ut. Prandaj është koha të rishikohet ky ligj në mënyrë që të ndalet kjo padrejtësi që është duke ndodhur në Hagë, në mënyrë që të ndalet tendenca me çdo kusht, me çdo mjet që e ka kjo gjykatë për të dënuar krerët e UÇK-së”, shton ai.
Ai shton se ligji parasheh që të ndërtohet një dhomë në Kosovë, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.
“Fatkeqësisht këto katër vite shteti i Kosovës, Qeveria e Kosovës, Presidenca e Kosovës, kanë qenë kundër krerëve të UÇK-së dhe kanë qenë në mbështetje të plotë të Prokurorisë, të Gjykatës Speciale. Ekzistojnë shumë forma për krijimin e këtyre mekanizmave. Duhet të ndryshohet ligji i cili parasheh që raportimi të bëhet në institucionet e Kosovës dhe jo në EULEX, që emërimi të bëhet nga institucionet e Kosovës. Pra kjo Gjykatë Speciale edhe me Ligjin e Dhomave të Specializuara i ka dy dhoma, njëra dhomë është në Hagë dhe tjetra dhomë është planifikuar të jetë në Kosovë. Dhe kjo në Kosovë asnjëherë nuk është ndërtuar”, shprehet Behrami.
Ish-këshilltari i Thaçit thotë se “mendësia e Gjykatës Speciale është e viteve të 90-ta të Serbisë”.
https://kosovapress.com/haxhiu-kerkon-mekanizem-per-mbikeqyrjen-e-gjykates-speciale