Gjatë gërmimit në fshatin Obranqë të Podujevës, të mërkurën janë gjetur eshtra të cilat dyshohen të jenë të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë. Pjesët kockore janë të së paku një individi, ndërkohë që të njëjtat janë hasur gjatë procesit të zhvarrimit të mbetjeve mortore, tregon Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur. Ai thekson se do të kthehen sërish në këtë lokacion, raporton KosovaPress.
Gërmimet në këtë lokacion, siç shton ai, janë bërë pas një informacioni të qytetarëve në fund të muajit janar. Ai thekson se në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë për Krime Lufte kanë zhvilluar procedurat e nevojshme deri në sigurimin e urdhrit të gjykatës.
“Diku në fund të muajit janar të këtij viti, si Komision Qeveritar për Persona të Zhdukur kemi pranuar informatën nga qytetarët e komunës së Podujevës për lokacionin në fjalë, përkatësisht mbi dyshimet për një varr që potencialisht mund të ndërlidhet me viktimat e luftës, në varrezat e fshatit Obranqë të komunës së Podujevës. Muaj më parë, gjatë një ceremonie varrimi është hasur në eshtra dhe batanije dhe sigurisht që qytetarët e pranishëm me shumë përkushtim edhe kujdes kanë përcjell tutje informatën. Si Komision Qeveritar, me prioritet e kemi adresuar këtë informatë apo të dhënë”, deklaron ai, raporton KosovaPress.
Kushtrim Gara nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur tregon se ky është lokacioni i tretë i cili është trajtuar për gërmim gjatë këtij viti.
“Sot nga mëngjesi ekipet e Institutit të Mjekësisë Ligjore, gjithmonë me mbështetjen e Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Drejtorinë e Policisë për Krime Lufte dhe me prezencën apo pjesëmarrjen e kryetarit të shoqatës së familjeve të viktimave të luftës, kanë vazhduar me procesin e gërmimit vlerësues, përkatësisht procesin e zhvarrimit të mbetjeve mortore ose të pjesëve kockore, ose të eshtrave të minimumit të një personi, të një individi. Megjithatë, numri i saktë i personave të zhvarrosur apo identiteti i tyre do të përcaktohet pasi të përfundojnë të gjitha procedurat ose të gjitha ekzaminimet e nevojshme mjeko-ligjor, përfshirë edhe analizën e ADN-së”, shton ai.
Nga fillimi i vitit është gërmuar në një lokacion në Malishevë, në Makovc të Prishtinës dhe sot në Obranqë të Podujevës. Në këtë të fundit, që nga paslufta është gërmuar katër herë, raporton KosovaPress.
“Nga këto katër gërmime janë gjetur të paktën, ose minimumi, deri në tetë individë, tetë viktima të luftës. Dhe pashmangshëm ne, në këtë lokacion, do të kthehemi sërish, në një moment më të përshtatshëm të kushteve të motit. Kishte sugjerim edhe sot gjatë gërmimeve nga antropologu Valon Hyseni që gërmimet apo vlerësimet e mëtutjeshme t’i shtyjmë edhe për pak ditë të tjera, në kuptimin e përshtatjes së kushteve të motit”, përfundon ai.
Ai tregon se prioritet mbetet lokacioni në Arbëri të Prishtinës, një lokacion në Istog por edhe lokacione të tjera të cilat janë duke u vlerësuar.
Në Kosovë vazhdojnë të jenë të pagjetur 1600 persona./Sh.Pajaziti
Lexo edhe: https://kosovapress.com/kerkimi-pa-fund-per-besnikun