Prokuroria Speciale e Kosovës, pas zhvillimeve të hetimeve, ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj dy të pandehurve B.Sh. dhe M.Q.
KosovaPress mëson nga burime në institucionet relevante se rrjeti i bashkëpunëtorëve të shërbimit serb (BIA) është shumë më i gjerë.
“Janë identifikuar lidhje dhe kontakte, si direkte ashtu edhe indirekte, me individ nga kategori të ndryshme – si ato me rëndësi publike, ashtu edhe ato jopublike, për të cilët pritet Prokurorisë t’i dalë punë”, thonë të njëjtat burime.
Ndërsa në njoftimin e Prokurorisë Speciale thuhet se ekziston dyshimi i bazuar se Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi kanë kryer veprën penale “spiunazhi”.
“Për dy të pandehurit B.Sh dhe M. Q. ekziston dyshimi i bazuar mirë se secili veç e veç, me veprimet e tyre e kanë kryer veprën penale ‘Spiunazhi’ nga neni 124 paragrafi 3 i KPRK–së, kurse, i pandehuri M.Q edhe veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’ nga neni 366 par. 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimi e Prokurorisë.
Më tej thuhet se prokurori i shtetit nga Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Po ashtu, prokurori i rastit, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurve tu vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor, ngase ende ekzistojnë kushtet ligjore për vazhdimin e masës së tillë”, thuhet në njoftim.
Në viti 2024 janë arrestuar dy persona, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të cilët dyshohet se kanë bashkëpunuar me BIA-n serbe. Arrestimi i tyre ishte bërë i mundur pas zbulimit nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI).
https://kosovapress.com/prokuroria-speciale-kerkon-paraburgim-per-dy-te-dyshuarit-per-spiunazh