Padia për gjenocid, Hetemi: Do t’i ofrojmë dëshmitë kurdo që na kërkohen

Instituti për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë nuk ka mandat që të ndërmarrë iniciativa për të ngritur padinë kundër Serbisë për gjenocid por do të ofrojë dëshmitë që i posedon, kurdo që institucionet ia kërkojnë. Kështu thotë në një intervistë për KosovaPress, drejtori i këtij instituti, Atdhe Hetemi, sipas së cilit, për të arritur paqe të qëndrueshme në rajon, duhen hapa për vendosjen e drejtësisë.

Në institutin e formuar nga ekzekutivi në fund të 2023-ës, tashmë nga komunat e Kosovës dhe institucionet e ndryshme, janë dorëzuar dokumente dhe materiale që dokumentojnë krimet e luftës.

Hetemi thotë se deri tani kanë grumbulluar mbi 200 metra material arkivor dhe mijëra orë video-incizime dhe materiale që janë dëshmi e krimeve serbe në Kosovë.

Ne si institut nuk është që kemi mandat që të marrim iniciativa sa i përket padisë e kështu me radhë, mirëpo kurdo që institucionet e tjera që e kanë këtë mandat e marrin ndonjë iniciativë të tillë, Instituti  është i obliguar që t’i ofrojë dëshmitë dhe dokumentet të cilat i posedon në mënyrë që institucionet e tjera ta bëjnë punën e tyre  edhe në këtë drejtim. Përndryshe, instituti ka më tepër karakter akademik…është e domosdoshme që për tu arritur një paqe e qëndrueshme në rajon fillimisht të bëhet dokumenti i mirëfilltë gjë të cilën jemi duke e bërë pastaj të merren hapa për vënien e drejtësisë në vend, reparacionin e kështu me radhë por këto i bëjnë institucionet tjera”, thotë ai.

Kryeministri Albin Kurti kishte paralajmëruar se qeveria e tij do përgatisë padinë kundër Serbisë për gjenocid, pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Diçka konkrete nuk është parë në këtë drejtim.

Një muaj më parë Kurti tha se nuk mund të jap detaje për këtë, duke theksuar se përgatitjet janë të thella dhe komplekse.


“Duke pasur parasysh kontekstin rajonal, fqinjin tonë armiqësor, këto përgatitje jemi të detyruar që t’i zhvillojmë jashtë syve të opinionit publik”, tha Kurti më 11 nëntor pasi zhvilloi vizitë në Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.

https://kosovapress.com/padia-per-gjenocid-kurti-pergatitjet-jemi-te-detyruar-ti-zhvillojme-jashte-syve-te-opinionit-publik

Megjithatë, materiale të ndryshme tashmë janë arkivuar në këtë institut.

Hetemi shton se materialet të cilat i ka krijuar instituti paraprak, që ka qenë në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, tashmë gjenden në arkivat e këtij institucioni.

Hetemi thotë se ky institucion, tani ka dhjetë zyre në Prishtinë, një depo arkivore me 50 metra katror, si dhe ka bërë një shtrirje rajonale në të gjithë Kosovën.

Një institut për hulumtimin e krimeve të luftës ishte krijuar edhe në vitin 2011, por ishte mbyllur shtatë vjet më vonë, duke vazhduar punën vetëm në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, në Divizionin për Drejtësi Tranzicionale./B.Ibishi

Intervista e plotë në sistemin me parapagim…

Lexo edhe

Video