Kryeministri Albin Kurti ka komentuar deklaratën e emisarit për Misione të Veçanta Richard Grenell, i cili para disa ditësh kishte thënë se retorika e Kurtit se është i afërt me SHBA-në është e rreme.
Në një intervistë për Istog Channel, Kurti është pyetur për deklaratën e fundit të Grenellit dhe është përgjigjur duke thënë “Çka me bo unë”.
“Çka me bo unë. Ti e din shumë mirë se tërë jetën time kam qenë aktivist e jo analist. I kemi këto studiot që i studiojnë se çka i tha kështu e pse e këqyri ashtu”, ka deklaruar ai.
Grenell për Kurtin: Nuk është i besueshëm, mos u mashtroni • KosovaPress
Kurti ka thënë se Kosova asnjëherë nuk i ka pasur punët më mirë me SHBA-në.
“Punët kurrë ma mirë nuk i kemi pasur. Po blejmë helikopterë Black Hawk pas blerjes së sistemit Javelin. Grantin më të madh Kosova ndonjëherë prej Amerikës e ka marrë gjatë mandatit tonë. Ne kemi bërë avancimin me Amerikën kur raportin me Amerikë nuk e kemi vetëm diplomatik por e kemi edhe në mbrojtje, e në zhvillim e edhe energji”, tha Kurti.
Ai tha se ndonjëherë mund të ketë kritika e vërejtje, por megjithatë duhet të ecim përpara.
Kujtojmë, Grenell ka thënë se “Qeveria Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trump, as gjatë mandatit të Bidenit”.
Grenell vazhdon kritikat: Kurti solli raportet Kosovë-SHBA në një pikë të ulët • KosovaPress
“Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Po ashtu edhe BE-ja dhe NATO-ja. Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit. Kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por nuk po zgjerohen në Kosovë për shkak të Kurtit. Kurti ka qenë gjithashtu kundër çdo ideje të SHBA-së të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni”, kishte shkruar Grenell në X.