Në vend që të tentoni të diskreditoni raportimet e sakta me etiketime gjoja si “lajme të rreme,” do të duhej të përqendroheni zoti Murati në gjetjen e zgjidhjeve gjatë 4 vjetëve mandat për problemet që po ngulfasin ekonominë dhe jetën e qytetarëve të Kosovës.
Pas demantit publik të ministrit të Financave, Hekuran Murati lidhur me temën e publikuar nga KosovaPress për tërheqjet bankare, ne si redaksi e Agjencisë së lajmeve e ndjejmë të nevojshme të sqarojmë publikun.
Çuditërisht, reagimi i ministrit ishte aq i shpejtë, sikur ndodhi pa u analizuar apo nga dëshira për të demantuar një të vërtetë të hidhur.
KosovaPress është kujdesur që të sqarojë saktë lajmin e publikuar me titull “Rekord borxhi në banka, mbi gjysmë miliardi mbitërheqje nga qytetarët…”, duke dhënë informacionet qysh në fillim të artikullit: “Mbitërheqjet bankare (overdraft) të qytetarëve e bizneseve në Kosovë gjatë vitit 2024 kanë arritur nivelin më të lartë të këtij lloj borxhi që nga paslufta”.
Ministri Murati në vend të trajtimit serioz të problemeve ekonomike me të cilat përballen qytetarët, është marrë me një aspekt të lajmit.
KosovaPress është thirrur në raportin e BQK-së, i cili përfshin mbitërheqjet totale.
Sipas përgjigjes së BQK-së, në tetor 2024, kjo shumë arrinte në 527.3 milionë euro, shifër e cila pasqyron gjendjen reale të borxhit. Përpjekja për të ndarë artificialisht mbitërheqjet familjare nga ato të bizneseve është një lëvizje për të minimizuar seriozitetin e problemit, duke anashkaluar faktin se ekonomia e dobët prek të gjitha shtresat e shoqërisë.
Ndryshimet metodologjike nuk fshehin realitetin.
Ndryshimet e metodologjisë së raportimit, të cilave u referoheni zoti Murati, nuk e mohojnë rritjen e borxhit në vitet e fundit. Që nga viti 2020, vlera e mbitërheqjeve është pothuajse katërfishuar, një trend që lidhet drejtpërdrejt me inflacionin, rënien e fuqisë blerëse dhe pagat e ulëta.
Dhe po, overdrafti është një produkt bankar standard, por rritja e tij në Kosovë nuk është rezultat i një ekonomie të shëndetshme dhe eksportuese, siç pretendoni. Përkundrazi, kjo rritje reflekton sfidat ekonomike që i detyrojnë individët dhe bizneset të mbështeten në këtë formë kredie për mbijetesë.
Duke u fshehur pas frazave si “produkt standard,” ju i shmangeni përgjegjësisë për përmirësimin e kushteve ekonomike të qytetarëve, ndërsa është detyra juaj të adresoni shkaqet e këtij problemi.
Prandaj zotëri Ministër, në vend që të tentoni të diskreditoni raportimet e sakta me etiketime gjoja si “lajme të rreme,” do të duhej të përqendroheni në gjetjen e zgjidhjeve gjatë 4 vjetëve mandat për problemet që po ngulfasin ekonominë dhe jetën e qytetarëve të Kosovës.
Më poshtë është lajmi i publikuar nga ne dhe reagimi i ministrit Murati.
Rekord borxhi në banka, mbi gjysmë miliardi euro mbitërheqje nga qytetarët • KosovaPress