Kosova, Shqipëria dhe Kroacia më 18 mars nënshkruan një deklaratë në Tiranë, përmes së cilës vendet angazhohen që të forcojnë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, zhvillim që ka nxitur reagime në Serbi.
Pas kësaj deklarate trepalëshe të bashkëpunimit, Ministria serbe për Punë të Jashtme tha se do të kërkojë urgjentisht shpjegime të detajuara nga ministritë e Jashtme të Shqipërisë dhe Kroacisë, raporton Radio Evropa e Lirë.
Sipas Beogradit, Shqipëria dhe Kroacia me nënshkrimin e këtij dokumenti, “ndërmorën hapa që minojnë stabilitetin rajonal”.
Autoritetet në Beograd, që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, thanë se kjo nismë paraqet “provokim të hapur dhe shpërfillje të madhe të realitetit në terren”.
“Ne presim përgjigje urgjente nga Zagrebi dhe Tirana për qëllimet e vërteta të kësaj lloje të rrezikshme të sigurisë. Serbia nuk do të lejojë veprime të njëanshme që mund të rrezikojnë integritetin tonë territorial, sigurinë e qytetarëve dhe paqen në rajon”, u tha në reagimin e Ministrisë së Jashtme të Serbisë.
Sipas Serbisë, deklarata e bashkëpunimit ishte rezultat i “një strategjie që synon izolimin e Serbisë”.
Marrëveshja e nënshkruar të martën përfshinë pika të rëndësishme në fushën e mbrojtjes, ndër të cilat edhe kundërveprimin ndaj kërcënimeve hibride dhe forcimin e qëndrueshmërisë strategjike dhe ofrimin e mbështetjes së plotë për integrimin euro-atlantik dhe atë të mbrojtjes rajonale.
Dokumenti u nënshkrua të martën nga ministrat e mbrojtjes së tri shteteve, raporton KosovaPress.
Kjo ujdi u tha që synon të forcojë aftësitë mbrojtëse të tri vendeve, të rrisë bashkëpunimin në industrinë e mbrojtjes dhe të përmirësojë ndërveprimin ushtarak përmes edukimit, trajnimeve dhe stërvitjeve të përbashkëta si dhe përmirësimin e ndërveprimit ushtarak në rajon.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, tha se synimi i bashkëpunimit nuk është kërcënim për askënd, por mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë rajonin.
“Synimi i këtij bashkëpunimi nuk është rast kërcënimi për askënd, mirëpo është mesazh për ata që synojnë të kërcënojnë sigurinë paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor por edhe sigurinë e vendeve tona. Tri vendet tona që ndajnë vlera dhe interesa të përbashkëta janë të bashkuara për t’u përballur me çdo kërcënim dhe rrezik që synon destabilizimin e regjionit”, tha ai, transmeton KosovaPress.
Lexo edhe: https://kosovapress.com/nenshkruhet-marreveshja-ushtarake-mes-kosoves-shqiperise-dhe-kroacise
https://kosovapress.com/kosoves-po-i-jepet-mundesia-te-afrohet-me-shume-me-nato-n