Qasje e re dhe më e barabartë po pritet nga diplomati danez, Peter Sorensen – pasardhësi i emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajak. Megjithatë, sipas analistëve, blloku duhet të dizajnojë në tërësi dialogun e jo vetëm të ndryshojë emrat që lehtësojnë këtë proces.
Ambasadorët e BE-së e konfirmuan të premten Sorensenin për postin e përfaqësuesit të posaçëm. Pëlqimin përfundimtar pritet të japin të hënën ministrat e jashtëm të bllokut, në mënyrë që ai të nisë mandatin në fillim të muajit shkurt.
Sorensen është zgjedhur nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas.
Nga Komisioni Evropian nuk kanë kthyer përgjigje për KosovaPress se si pritet të dizajnojë dialogun Sorensen, si dhe për qasjen e tij në këtë proces. Të heshtur për këto zhvillime kanë qëndruar edhe në Qeverinë e Kosovës.
Në anën tjetër, analisti politik, Arbnor Sadiku thotë për KosovaPress se pritjet janë të mëdha jo vetëm nga emisari i ri i BE-së për dialogun, por në tërësi nga përbërja e re e Komisionit Evropian.
“Presim një qasje ndryshe, pasi edhe vetë zonja Kaja Kallas u pa që është një lidership i ri i BE-së. Ka një frymë të re për të kërkuar rezultate nga dialogu, jo vetëm të mbajë takime koti sa për të marrë paga, siç ka ndodhur në vitin e fundit nga zotëri [Miroslav] Lajçak. Diplomati danez kishte një përvojë, sa e pash unë, qoftë si diplomat brenda institucioneve të BE-së, qoftë edhe në Ballkan”, thekson Sadiku.
Megjithëse konsideron se emrat e rinjë në ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi janë premtues, profesori universitar, Dorajet Imeri, thekson për KosovaPress se Bashkimi Evropian duhet të modifikojë në tërësi dialogun, në mënyrë që t’i jep përgjigje të duhur këtij procesi.
“Emrat e rinj të krerëve të Bashkimit Evropian janë shumë premtues për disa procese politike që po kalon Bashkimi Evropian. Megjithatë, bisedimet Kosovë-Serbi nuk kanë mbetur në këtë stad vetëm për shkak të emrave që kanë udhëhequr këto procese, por për shkak të mënyrës sesi është dizajnuar dialogu”, deklaron Imeri.
Mandati i emisarit aktual të BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, do të përfundojë më 31 janar.
Në krye me Lajçakun në këtë proces, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen Bazë të Brukselit dhe aneksin e Ohrit në vitin 2023, mirëpo që ende nuk ka gjetur zbatim.
Kosova dhe Serbia dialogojnë për normalizim të marrdhënieve që prej vitit 2011./E.Zeqiri
https://kosovapress.com/rrugetimi-i-dialogut-me-serbine-nen-qeverine-kurti
https://kosovapress.com/rama-kosova-ta-ngrije-dialogun-bilateral-me-serbine
https://kosovapress.com/lajcak-rendit-kerkesat-e-be-se-per-kosoven-e-serbine