Me rastin e 17-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti, ka kujtuar sakrificat e gjithë atyre që luftuan për lirinë dhe të drejtën tonë për të jetuar të lirë dhe të pavarur.
Hoti ka publikuar edhe letrën drejtuar Përfaqësueses së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallah, përmes të cilës kërkohen hapa konkretë për të detyruar Serbinë të bashkëpunojë dhe të hapë arkivat shtetërore të saj, përfshirë ato ushtarake, policore dhe të inteligjencës.
“Ndërsa festojmë këtë ditë historike, nuk mund të harrojmë ata që ende nuk janë rikthyer pranë familjeve të tyre. 1,591 qytetarë të Kosovës vazhdojnë të jenë të zhdukur për shkak të krimeve të planifikuara, të orkestruara, dhe të kryera nga Serbia gjatë luftës së vitit 1998-1999. Në përpjekje për të vënë drejtësinë në vend dhe për të zbardhur të vërtetën, Qeveria e Kosovës ka dërguar një letër drejtuar Përfaqësuesës së Lartë për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Nënkryetare e Komisionit Evropian, znj. Kaja Kallas, duke kërkuar hapa konkretë për të detyruar Serbinë të bashkëpunojë dhe të hapë arkivat shtetërore të saj, përfshirë ato ushtarake, policore dhe të inteligjencës”, ka shkruar Hoti.
“Serbia vazhdon të mohojë përgjegjësinë e saj dhe të sabotojë përpjekjet për drejtësi, duke refuzuar të zbulojë të dhënat mbi vendndodhjen e të zhdukurve. Kosova ka ndërtuar paqen mbi drejtësinë dhe të vërtetën, dhe nuk do të ndalemi deri sa secili i zhdukur të kthehet tek familja e tij dhe Serbia të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera. Lavdi të rënëve për liri! Nderim për të zhdukurit me dhunë! Gëzuar Pavarësinë, Kosovë”, ka shkruar ai.
Për më tepër ai ka shkruar se “Në këtë letër, kemi kërkuar: Hapjen e menjëhershme dhe të pakushtëzuar të arkivave shtetërore të Serbisë, të cilat përmbajnë informacione kyçe mbi vendndodhjen e të zhdukurve.Bashkëpunim të plotë për zbardhjen e rolit të forcave paramilitare dhe bashkëpunëtorëve serbë, të cilët, me mbështetjen e regjimit të Millosheviqit, ekzekutuan dhe zhdukën mijëra shqiptarë. Dhe llogaridhënie për refuzimin e vazhdueshëm të Serbisë për të dorëzuar informacion mbi varrezat masive të njohura brenda territorit të saj.
Sipas tij, Pavarësia jonë është arritur me sakrifica të mëdha dhe ne nuk mund të lejojmë që viktimat e gjenocidit të harrohen apo të mohohet e drejta e familjeve për të ditur të vërtetën.
“Serbia vazhdon të mohojë përgjegjësinë e saj dhe të sabotojë përpjekjet për drejtësi, duke refuzuar të zbulojë të dhënat mbi vendndodhjen e të zhdukurve. Kosova ka ndërtuar paqen mbi drejtësinë dhe të vërtetën, dhe nuk do të ndalemi deri sa secili i zhdukur të kthehet tek familja e tij dhe Serbia të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera”, ka thënë Hoti.