Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025.
Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, tha se në këto zgjedhje është zbatuar ligji i ri për zgjedhje, nga i cili janë shtuar përgjegjësitë ligjore.
Sipas rezultateve përfundimtare të shpallura nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 396.787 vota ose 42.30%, pason Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 196.474 vota ose 20.95%, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 171.357 vota ose 18.27%.
AAK-NISMA ka fituar 66.256 vota ose 7.06%, Lista Serbe 39.915 vota ose 4.26% të votave, ndërsa Koalicioni për Familje nuk ka arritur të kalojë pragun prej 5 për qind duke marrë 20.023 ose 2.13% të votave të vlefshme.
Radoniqi ka bërë të ditur edhe numrin e ulëseve që kanë fituar partitë, raporton KosovaPress.
“Sa i përket përfaqësimit në Kuvendin e Kosovës, LVV ka siguruar 48 vende, duke u bërë partia më e fuqishme në legjislativin kosovar. Pas saj renditen PDK me 24 vende, LDK me 20 vende, Srpska Lista me 9 vende, dhe AAK me 8 vende”, tha ai.
Në lidhje me transparencën e procesit të numërimit, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka siguruar që procesi është zhvilluar në mënyrë të hapur dhe të qartë.
Në 38 Qendrat Komunale të Numërimit, janë ofruar të dhëna të plota për punën e çdo ekipi, duke përfshirë pamjet e fletëvotimeve të plotësuara në 2,533 vendvotime. Në mbledhjen e mbajtur sot Radoniq tregoi se nuk ka pasur cenim të votës.
Numri total i votuesve të regjistruar për zgjedhjet e 9 shkurtit ishte 2.075.868, kurse pjesëmarrja në votime ka qenë 46.54%. Numri i fletëvotimeve të vlefshme ka arritur në 938.010, ndërsa 27.433 fletëvotime kanë qenë të pavlefshme. Sipas statistikave të KQZ-së, 2.694 fletëvotime kanë qenë të dëmtuara.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim.