Zvicra kërkon ndalimin e simboleve naziste, kjo është gjoba

Zvicra kërkon ndalimin e simboleve naziste, kjo është gjoba

Këshilli Federal i Zvicrës dëshiron të ndalojë përdorimin publik të simbolit nazist të svastikës dhe simboleve të tjera që lidhen me Rajhun e Tretë.

Çdo person që shkel ligjin do të gjobitet me 200 franga zvicerane (215 euro) në të ardhmen, raporton Swissinfo.

Ligji që ndalon simbolet naziste është veçanërisht urgjent, tha sot Këshilli Federal. Sipas tij, incidentet antisemitike janë shtuar ndjeshëm muajt e fundit. Qeveria paraqiti një propozim për një ligj të veçantë në një konsultim që përfundon më 31 mars.


Zvicra ka një “tolerancë të caktuar” për simbolet dhe gjestet naziste – përshëndetjet dhe svastikën naziste janë të ndaluara vetëm kur përdoren për qëllime propagandistike.

Sipas mediave zvicerane, përpjekjet politike për ndalimin e plotë të përdorimit të tyre kanë vazhduar qe nga 2003.

Këshilli Federal tani thotë se dëshiron të ndalojë svastikat, përshëndetjet e Adolf Hitlerit, shenjat SS dhe kodet si “18” e “88”, si dhe gjeste të caktuara, objekte dhe përshëndetje. Kur dënohen simbole të tilla varet nga konteksti: Këshilli Federal planifikon përjashtime për qëllime edukative, artistike dhe të gazetarisë.

Ndryshe, gjoba për shfaqjen e simboleve fashiste dhe naziste në Kroaci varion nga 300 deri në 4 mijë euro.

Lexo edhe

Video