Ndonëse në maj të vitit 2024 ka filluar rinovimi dhe mbindërtimi në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Obiliq, ato ende nuk kanë përfunduar. Derisa qytetarët ankohen për zvarritje të punimeve, ata tregojnë se shërbimet shëndetësore detyrohen t’i marrin në Milloshevë apo Prishtinë.
Aspekti financiar, mungesa e fuqisë punëtore e kushtet klimatike po konsiderohen shkaktarët e vonesës së kryerjes së punimeve në Qendrën Kryesore të Mjekësisë familjare në këtë komunë.
Zvarritje të punimeve, ka vërejtur edhe Xhevahire Krasniqi, e cila tregon për vështirësitë në marrjen e shërbimeve shëndetësore përgjatë kësaj kohe.
Ajo thotë se në mungesë të shërbimeve stomatologjike për shkak të renovimeve në QKMF i duhet të shkojë në Milloshevë apo vende të tjera.
“Shumë ngadalë. Afërsisht ka një vit që kanë filluar renovimet. Jo vetëm për mua, por për çdo qytetar ka pengesa. Lart është stomatologjia, stomatologjinë e kanë dërguar në Milloshevë. Jo të gjithë mund të shkojnë në Milloshevë… Prej që kanë filluar punimet sidomos prej se është ftohur koha punimet janë të zvarritura. S’ka punime…”, shprehet Krasniqi.
Edhe Enver Gjukatani po e pret me padurim finalizimin e rinovimeve në këtë Qendër të Mjekësisë Familjare në Obiliq.
Ai tregon se për shkak te rinovimeve, i duhet të shkojë në Prishtinë për trajtim.
“Kërkojmë që sa më shpejtë të rinovohet kjo sepse nuk po kemi edhe ku t’i kryejmë shërbimet. Po shkojmë në Prishtinë…Po shohim që sa më shpejtë kjo të rregullohet mos të kemi punë atje, por t’i kryejmë këtu shërbimet”, thotë Gjukatani.
Shukri Mjekiqi shpreh nevojën për finalizimin e renovimeve dhe zgjerimin e objektit të QKMF-së, sepse thotë se “kushtet nuk janë edhe aq të mira”.
“Ka nevojë të ndërtohen sa më shpejt që mos të ketë nevojë të shkojmë në Prishtinë apo tjera vende”, thotë Mjekiqi.
Këto rinovime janë në kuadër të një projekti që përfshihet edhe mbindërtimi, donacion ky në vlerë 400 mijë euro nga një familje bamirëse nga Katari përmes organizatës jo qeveritare “Qëndresa Kosovare”. Derisa 110 mijë euro prej tyre janë paraparë të ndahen nga buxheti i komunës.
Drejtori i organizatës “Qëndresa Kosovare”, Islam Cakaj përmes telefonit për KosovaPress thotë se shkak i zvarritjes së punimeve është mungesa e fuqisë punëtore dhe vonesa në deponimin e mjeteve.
Lajmi i plotë në sistemin me parapagim…
Sipas tij, punimet pritet të rifillojnë në dy javët e ardhshme.
Nga 110 mijë euro, Komuna e Obiliqit ka ndarë gjysmën e tyre për këtë projekt dhe gjysmën tjetër pritet ta deponojë me buxhetin e vitit 2025.
Kështu thotë nënkryetari Ibush Mjekiqi, derisa potencon se u është thënë se zvarritja e punimeve është bërë “për shkak të fondeve”.
Ndërkaq, drejtori i Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Obiliq, Haki Jashari potencon se për shkak të kushteve klimatike dhe arsyeve të tjera punimet janë ndërprerë disa herë.
Përveç ndërtimit të vrazhdë, Jashari tregon se duhet bërë izolimi i kulmit, vendosja dhe ndërrimi i dritareve dhe punimet e tjera brenda objektit.
Ai thotë se pritet që punimet të finalizohen në qershor apo korrik të vitit 2025.
Ndryshe nga Cakaj, në një prononcim për KosovaPress, Jashari thekson se renovimet pritet të rifillojnë në mars të këtij viti.
Përveç këtyre, Jashari thotë se ka pasur ndërprerje të rinovimeve disa herë nga 7 deri në 10 ditë që prej kohës kur ato kanë filluar.
Projekti i mbindërtimit të QKMF-së përfshinë hapësirën prej 1 mijë e 650 metra katrorë.
Ndër të tjera, drejtori i QKMF-së, Haki Jashari tregon se mesatarisht rreth 500 pacientë marrin shërbime në këtë qendër brenda 24 orëve./Z.Zeneli/