Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, e ka pritur me shqetësim të madh, vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, e cila ka vazhduar procesin e liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.
Sipas DhTIK, procesi është vazhduar në heshtje dhe pa asnjë konsultim paraprak, raporton KosovaPress.
“DhTIK i është drejtuar me një kërkesë, kryesuesit të Bordit të ZRRE-së, z. Ymer Fejzullahut, duke i kërkuar që të shtyjë për të paktën një vit këtë vendim sepse si i tillë, do të ndikoj negativisht në prodhim, eksport, punësim dhe zhvillim ekonomik. Ne kemi pranuar telefonata dhe kërkesa me shkrim nga kompanitë tona anëtare, të cilat kanë shprehur shqetësimin e tyre të madh me këtë hap, andaj vlerësojmë se nuk është momenti i duhur që të ndodh një proces i tillë tani”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga DhTIK.
Hyrja në treg të lirë sipas DhTIK do të shkaktoj rritje të paparashikueshme të kostove të energjisë dhe do të sjellë sfida serioze për bizneset.
“Aktualisht ZRRE ofron vetëm listën e furnizuesve të licencuar, por nuk ofron një platformë ku do të mund të krahasoheshin çmimet që këta furnizues i ofrojnë. Gjithashtu, për momentin, ZRRE lejon instalimin e paneleve solare deri në 200 kw (d.m.th. një sistem që prodhon rrymë deri në 28000 euro në vit), në vend se ky kufizim të hiqet për bizneset e mëdha”, vazhdon tutje reagimi.
Sfidat tjera që e përcjellin këtë sektor sipas DhTIK janë:
Paqartësitë Rregullative – Mungesa e një kornize të qartë ligjore për vetë konsum dhe tarifat e shitjes së energjisë ka penguar rritjen e investimeve.
Kapaciteti i Kufizuar i Rrjetit – Rrjeti aktual nuk është gjithmonë i aftë të integrojë kapacitetet e reja të prodhimit diellor pa investime shtesë në infrastrukturë.
Mungesa e Stimulimeve të Qëndrueshme – Politikat e subvencionimit nuk janë afatgjata dhe ndryshojnë shpesh, duke krijuar pasiguri për investitorët.
Procedurat Burokratike – Procesi për marrjen e lejeve dhe licencave mbetet i ndërlikuar dhe i ngadaltë.
Gjithashtu, ne kemi pranuar numër të madh thirrjesh telefonike dhe e-maila nga bizneset, të cilat kanë shqetësime se kërkesa e KESCO-s për informacione specifike, po e shkelë ligjet, duke i ofruar kësaj kompanie private të dhëna financiare.
DhTIK kohë më parë, ka alarmuar se shtetet fqinje janë duke i targetuar bizneset tona, duke ju ofruar kushte shumë të favorshme për bartjen e prodhimit të tyre.
Përkundër që bizneset kanë qenë shumë të fokusuara në kontributin e tyre për të zhvilluar vendin, punësimin dhe rritjen e buxhetit të shtetit përmes taksave, vazhdimi qasjes së marrjes së vendimeve pa asnjë konsultim paraprak, rrezikon të shtyjë ato që të ikin përfundimisht nga Kosova.
Ndryshe, me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, do të dalin në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.
Ky vendim ka shkaktuar shqetësime të shumta në radhët e bizneseve të Kosovës derisa kompanitë paralajmërojnë për rritje të kostove dhe çrregullimeve ekonomike, nëse ndodhë shpejt ky liberalizim i tregut energjetik.