Kryetari i Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, Ymer Fejzullahu nuk ka pranuar t’i përgjigjet pyetjeve të gazetarëve, para dhe në fund të mbledhjes së bordit të këtij institucioni.
Ai pas përfundimit të mbledhjes, ka thënë se nuk ka konferencë për media.
“Treguam në fillim të këtij takimi besoj e keni marrë konfirmimin”, tha Fejzullahu.
ZRRE-ja është në proces të shqyrtimit të tarifave të energjisë elektrike, të cilat pritet të ngritën për rreth 15% nga muaji prill.
Ndërkohë, në një komunikatë për media të ZRrE-së, bëhet e ditur se bordi i ZRRE-së ka shqyrtuar dhe miratuar bilancin vjetor të Energjisë Termike për NQ Termokos për 2025 dhe bilancin vjetor të energjisë termike për NQ Gjakova për vitin 2025.
“Gjatë kësaj seance janë shqyrtuar dhe miratuar edhe dokumentet në vijim: Plani dhjetë-vjeçar për zhvillimin e rrjetit të transmetimit, Plani dhjetë-vjeçar për zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes, Plani pesë-vjeçar për zhvillimin e rrjetit të transmetimit, Plani pesë-vjeçar për zhvillimin e rrjetit të shpërndarjes, si dhe procedura e rregullave të Tregut në Para-kualifikimin e Ofruesit të Shërbimit Balancues. Po ashtu, është miratuar edhe propozimi për hapjen e procedurës së tenderimit për përzgjedhjen e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit. Në këtë seancë, bordi ka miratuar kërkesën e “Statkraft Markets GMbH Branch in Kosovo” për licencim të aktivitetit të furnizimit me shumicë të energjisë elektrike. Sa i përket zhvillimit të burimeve të ripërtëritshme të energjisë, në këtë seancë është shqyrtuar kërkesa e “LURN” sh.p.k për lëshimin e autorizimit për gjenerim të energjisë elektrike nga panelet solare/fotovoltaike si dhe janë aprovuar 7 kërkesa të subjekteve juridike dhe 21 kërkesa të personave fizik për marrje të autorizimeve për vetë-konsum me kapacitet total të instaluar prej 418.8 kËh. Në këtë seancë janë shqyrtuar edhe ankesat e konsumatorëve dhe janë marrë vendimet përkatëse. Pjesë e shqyrtimit nga bordi ka qenë edhe raporti vjetor i ZRRE-së për vitin 2024 dhe çështje të tjera që lidhen me funksionimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji”, thuhet në komunikatë.
Sipas komunikatës, sa i përket procesit të shqyrtimit tarifor, gjatë kësaj seance nuk është trajtuar ndonjë pikë lidhur me këtë çështje, pasi afati për dorëzimin e komenteve është ende i hapur dhe do të mbyllet sot deri në ora 16:00. ZRRE thekson se do t’iu mbajë të informuar për të gjitha zhvillimet në vazhdim, duke synuar një proces transparent dhe të hapur të shqyrtimit tarifor.
/KosovaPress/