ZRrE publikon raportet konsultative, përmend rritjen 15% të energjisë elektrike për konsumatorë

ZRrE publikon raportet konsultative, përmend rritjen 15% të energjisë elektrike për konsumatorë

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka bërë të ditur se ka publikuar Raportet Konsultative që lidhen me të hyrat maksimale të lejuara për tre operatorët e energjisë elektrike.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se bazuar në rezultatet e raporteve, pritet që rritja mesatare e tarifave për konsumatorët të jetë përreth 15 për qind, raporton KosovaPress.

“Ky publikim përbën një hap të rëndësishëm në procesin e përcaktimit të tarifave dhe ka për qëllim të sigurojë mundësinë për përfshirjen e të gjitha palëve të interesuara në këtë proces të rëndësishëm. Raportet Konsultative paraqesin propozimet fillestare të ZRrE-së për të hyrat maksimale të lejuara për këto ndërmarrje. Ky publikim ofron mundësinë që të gjitha palët e interesuara të shqyrtojnë propozimet dhe të japin komente dhe sugjerime që mund të ndikojnë në përcaktimin e vendimeve përfundimtare mbi tarifat. Bazuar në rezultatet e këtyre raporteve, pritet që rritja mesatare e tarifave për konsumatorët të jetë rreth 15%”, thuhet në njoftim.


ZRrE e konsideron konsultimin publik si një element kyç në zhvillimin e politikave të qëndrueshme dhe transparente në fushën rregullative.

“Në këtë kuadër, ZRrE fton ndërmarrjet e rregulluara, konsumatorët dhe të gjitha palët e tjera të interesuara që të shqyrtojnë të dhënat dhe pikëpamjet e përfshira në Raportin Konsultativ dhe të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre. Komentet mund të dërgohen deri në datën 28 mars 2025”, përfundon njoftimi.

Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji Elektrike në Kosovë (ZRRE) njoftoi të premten se ka propozuar shtrenjtimin e çmimit të energjisë elektrike në vend për rreth 15 për qind muajin e ardhshëm.

Rregullatori i energjisë ka shkruar në Facebook se, bazuar në rezultatet e raportit të tij konsultativ për të hyrat maksimale të lejuara, rritja mesatare e tarifave për konsumatorët pritet të tjerë 15 për qind dhe ftoi konsumatorët për konsultim publik.

Lexo edhe

Video