Një zjarr ka kapluar Bjeshkët e Deçanit, gjatë ditës së djeshme, derisa me këtë rast kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj ka kërkuar ndihmë nga qytetarët e vendit, që ta ndihmojnë ta shuajnë zjarrit.
Në një postim në rrjete sociale, kryetari Ramosaj, është shprehur se situata kërkon reagim të menjëhershëm dhe kontributin e secilit, raporton KosovaPress.
Ramosaj, ftuar qytetarët që të bashkohen në një aksion gjatë ditës së sotshme, në ora 8:00 të mëngjesit, për shuarjen e zjarrit.
“Ju bëj thirrje të gjithëve që të bashkohemi në një aksion të rëndësishëm për shuarjen e zjarrit që ka përfshirë zonën e Kullës së Qelisë në Bjeshkët e Deçanit. Situata kërkon reagim të menjëhershëm dhe kontributin e secilit prej nesh. Ftojmë të gjithë vullnetarët që të bashkohen nesër, në ora 08:00, tek stacioni i zjarrfikësve në Deçan. Pajisjet e nevojshme do të sigurohen në terren, por ju rekomandojmë të vini të përgatitur me rroba dhe këpucë të përshtatshme”, ka thënë Ramosaj në një postim në rrjetin social Facebook.
Edhe faqja në rrjetin social Facebook “Lidhja e Historianëve – Deçan”, ka publikuar pamje, ku shihet zjarri i përhapur në male.