Zhduket sërish statuja e Tina Turner në shëtitoren e Durrësit

Zhduket sërish statuja e Tina Turner në shëtitoren e Durrësit

Statuja e legjendës së muzikës rock, Tina Turner, është shkulur e zhdukur nga kompleksi i artit urban dedikuar figurave të famshme të muzikës që ndodhet në shëtitoren Taulantia të Durrësit.

Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur gjatë natës, ndërsa qytetarët durrsakë e konstatuan mëngjesin e sotëm, të befasuar nga mungesa e saj pranë tre ikonave të tjera të muzikës: John Lennon, Bob Dylan dhe Jim Morrison, raporton Top Channel.

E njohur si “Mbretëresha e Rock ‘n’ Roll-it”, Tina Turner la pas një trashëgimi të pasur muzikore me hite si Simply the Best, What’s Love Got to Do with It dhe Proud Mary, përcjellë KosovaPress.


Ajo është një nga artistet më të suksesshme të të gjitha kohërave.

Kjo nuk është hera e parë që statuja e Tina Turner zhduket nga shëtitorja. Në vjeshtën e vitit 2022, ajo u dëmtua kur një fëmijë u var te krahët e saj, duke shkaktuar thyerjen e statujës së cilës i mbeti vetëm pjesa e këmbëve, transmeton KosovaPress.

Pas disa muajsh, statuja u riparua dhe iu rikthye kompleksit, i cili është kthyer në një atraksion të njohur për vendasit dhe turistët në bregdetin e Durrësit.

Mbetet e paqartë se kush mund të jetë përgjegjës për vjedhjen. Pritet që policia të nisë hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Lexo edhe

Video