Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim shefin e zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ambasadorin Aivo Orav.
Sipas njoftimit të lëshuar nga zyra e kryeministrit thuhet se ambasadori Orav e vlerësoi pozitivisht procesin zgjedhor të 9 shkurtit.
“Gjatë takimit, ambasadori Orav vlerësoi pozitivisht procesin zgjedhor të 9 shkurtit, duke e cilësuar atë si të rregullt dhe pa incidente dhe theksoi se pozitivisht është vlerësuar edhe nga Brukseli. Ambasadori Orav e uroi kryeministrin për fitoren dhe rezultatin në këto zgjedhje. Bashkë, diskutuan për hapat e mëtejmë drejt konstituimit të Kuvendit dhe formimit të Qeverisë së re të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Në takimin Kurti-Orav u diskutua edhe për domosdoshmërinë e heqjes së masave ndaj Kosovës nga Bashkimi Evropian dhe nevojën për shqyrtim sa më të shpejtë të aplikimit të Kosovës për anëtarësim në BE.
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë Aivo Orav, ka vizituar tri subjektet politike Partinë Demokratike të Kosovës, Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ku temë kryesore e takimeve ishte procesi zgjedhor në Kosovë.
Subjektet politike treguan se respektojnë vullnetin e qytetarëve të shprehur përmes votës.