Zelensky thotë se është i gatshëm të ofrojë shkëmbim të ushtarëve të Koresë së Veriut

Zelensky thotë se është i gatshëm të ofrojë shkëmbim të ushtarëve të Koresë së Veriut

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky tha se është i gatshëm t’i dorëzojë ushtarët e kapur të Koresë së Veriut, në këmbim të të burgosurve ukrainas që mbahen në Rusi.

“Ukraina është e gatshme t’i dorëzojë ushtarët e [udhëheqësit të Koresë së Veriut] Kim Jong Un, nëse ai mund të organizojë shkëmbimin e tyre për luftëtarët tanë që po mbahen në Rusi”, tha Zelensky më 12 janar në një postim në X.

Të shtunën, Ukraina tha se kishte kapur dy ushtarë të Koresë së Veriut, duke shënuar herën e parë që Kievi ka kapur ushtarë të gjallë nga shteti i izoluar.

As Moska dhe as Phenjani nuk e kanë pranuar zyrtarisht praninë e trupave të Koresë së Veriut në Rusi.

Në videon e shpërndarë nga Zelensky të dielën, të dy ushtarët duken të plagosur. Një zë që flet koreanisht mund të dëgjohet duke përkthyer pyetjet nga hetuesi.

Një nga ushtarët, i cili shfaqet në video i shtrirë, thotë se nuk e dinte se po luftonte në një luftë kundër Ukrainës dhe se komandantët e tij i thanë se ishte një stërvitje.


Hetuesi, zëri i të cilit është modifikuar, i pyet të dy ushtarët nëse duan të kthehen në Korenë e Veriut, sipas një përkthimi të videos nga CNN.

Njëri tund me kokë, tjetri – pas nxitjes së mëtejshme nga përkthyesi, i cili e pyet: “Të pëlqen këtu në Ukrainë? Është më mirë këtu” – thotë se dëshiron të qëndrojë në Ukrainë, por më vonë shton se do të bëjë siç i thonë.

Në fjalimin e tij të përditshëm më vonë të dielën, Zelensky pretendoi se një nga ushtarët kishte “shprehur dëshirën për të qëndruar në Ukrainë”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ishte i ashpër në lidhje me ofertën e Zelenskyt për të shkëmbyer koreano-veriorët e kapur me të burgosur ukrainas të marrë nga Rusia, por tha se Kremlini ishte “i interesuar” në diskutimin e shkëmbimeve të mundshme.

“Ne nuk e dimë se çfarë është e vërtetë këtu, kush i ofroi çfarë”, tha Peskov të hënën.

“Procesi nuk është i lehtë. Por jeta e secilit prej ushtarëve tanë në robëri është e rëndësishme për ne. Kjo punë do të vazhdojë”, tha ai.

Zyrtarët në Kiev kanë akuzuar Rusinë se po përpiqet të mbulojë përfshirjen e ushtarëve të Koresë së Veriut në fushën e betejës.

Lexo edhe

Video