Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky tha se ka pasur takim me Princin e Kurorës së Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman.
Zelensky tha se është mirënjohës për këndvështrimin e tij të mençur për çështjet globale dhe mbështetjen për Ukrainën. Derisa tha se ishte veçanërisht e rëndësishme të dëgjoheshin fjalë besimi në të ardhmen e Ukrainës, raporton KosovaPress.
“Ne diskutuam të gjitha çështjet kyçe në rendin e ditës – si çështjet dypalëshe ashtu edhe bashkëpunimin me partnerët e tjerë. Unë i pranova përpjekjet e Princit të Kurorës për të afruar paqen e vërtetë. Arabia Saudite ofron një platformë vendimtare për diplomacinë dhe ne e vlerësojmë këtë. Delegacioni ukrainas mbetet në Jeddah për të punuar me ekipin amerikan të martën, më 11 mars, dhe ne shpresojmë për rezultate praktike. Pozicioni i Ukrainës në këto bisedime do të jetë plotësisht konstruktiv”, ka shkruar Zelensky në X.
Ai tha se me Princin e Kurorës, patën një diskutim të hollësishëm mbi hapat dhe kushtet e nevojshme për t’i dhënë fund luftës dhe për të siguruar një paqe të besueshme dhe të qëndrueshme.
“E theksova veçanërisht çështjen e lirimit të të burgosurve dhe kthimit të fëmijëve tanë, që mund të bëhet një hap kyç në ndërtimin e besimit në përpjekjet diplomatike. Një pjesë e konsiderueshme e diskutimit iu kushtua formateve të garancive të sigurisë. Ne vlerësojmë gatishmërinë e Arabisë Saudite për të zgjeruar bashkëpunimin ekonomik dhe për të investuar në Ukrainë. Diskutuam sektorët kyç për investime, duke filluar me sigurinë, energjinë dhe infrastrukturën. Ne ndajmë një vizion të përbashkët për zhvillimin dhe ndërveprimin ekonomik, veçanërisht në lidhje me rindërtimin e Ukrainës”, ka shkruar tutje Zelensky.
Princi i kurorës sipas tij ndau gjithashtu strategjinë ambicioze ekonomike të Arabisë Saudite.
“Ne jemi të gatshëm të bashkëpunojmë dhe kemi besim se lidhjet më të forta midis kombeve dhe rajoneve tona do të përfitojnë si për popujt tanë ashtu edhe për botën”, përfundoi Zelensky.