Bisedimet SHBA-Ukrainë do të mbahen në Arabinë Saudite javën e ardhshme, tha presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, duke theksuar se shpreson që do të jetë “një takim kuptimplotë”.
Udhëheqësi ukrainas, i cili do të jetë në mbretërinë e Gjirit, por nuk do të marrë pjesë në bisedime, tha se Kievi po punonte për të arritur një paqe “të shpejtë dhe të qëndrueshme”.
I dërguari special i presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkoff, tha se ekipi amerikan dëshironte të diskutonte një “kornizë” për paqen në përpjekje për t’i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë, raporton BBC.
Volodymyr Zelensky njoftoi bisedimet SHBA-Ukrainë në Arabinë Saudite në një seri postimesh në mediat sociale, pasi mori pjesë në një samit të enjten në Bruksel, ku liderët e Bashkimit Evropian miratuan planet për një rritje të shpenzimeve të mbrojtjes.
“Ekipet ukrainase dhe amerikane kanë rifilluar punën dhe shpresojmë që javën e ardhshme të kemi një takim domethënës”, shkroi ai në X.
Të premten e kaluar, Volodymyr Zelensky dhe Donald Trump u përfshinë në një përplasje publike në Shtëpinë e Bardhë – gjatë së cilës Trump tha se Zelensky nuk ishte gati për t’i dhënë fund luftimeve, përcjellë KosovaPress.
SHBA-ja vazhdoi të ndalonte ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe të ndalonte ndarjen e inteligjencës.
Presidenti ukrainas ka shprehur keqardhje dhe është përpjekur të riparojë marrëdhëniet me SHBA-në që është furnizuesi më i madh ushtarak i vendit.
Të enjten, Witkoff tha se Trump kishte marrë një letër nga Zelensky që përfshinte një “falje” dhe “ndjenjë mirënjohjeje”.
“Shpresojmë që t’i kthejmë gjërat në rrugën e duhur me ukrainasit dhe gjithçka të rifillojë,” tha Witkoff, përcjellë KosovaPress.
Zelensky ka qenë nën presion të fortë të SHBA-së për të bërë lëshime përpara çdo bisedimi të paqes, ndërsa presidenti ukrainas ka kërkuar garanci të forta sigurie për Kievin.
Rusia nisi një pushtim të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.
Luftimet vazhdojnë dhe Ukraina të enjten mbrëma raportoi një sulm “masiv me raketa dhe dron” në infrastrukturën e saj energjetike, transmeton KosovaPress.