Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, e bëri të qartë në një intervistë për NBC gjatë Konferencës së Sigurisë në Munih, se ai kurrë nuk do të pranonte një marrëveshje paqeje midis SHBA-së dhe Rusisë që do të negociohej pa pjesëmarrjen e Ukrainës.
Duke folur për mundësinë e negociatave ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, Zelensky u bëri thirrje aleatëve evropianë që t’i bashkohen negociatave, duke paralajmëruar për pasoja të mundshme nëse Rusia nuk ndalet.
“Unë kurrë nuk do të pranoj asnjë vendim midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë për Ukrainën, kurrë. Kjo është një luftë në Ukrainë, kundër nesh dhe sakrificat tona njerëzore janë në rrezik,” tha ai.
Ai theksoi veçanërisht rrezikun e një sulmi të madh rus në Evropë, duke përmendur aktivitetin ushtarak në Bjellorusi dhe rrezikun për Poloninë dhe Lituaninë.
“Ne e dimë se ai nuk arriti të na kapte, por nuk e dimë se ku do të shkojë më pas. Ekziston rreziku që Putin të sulmojë Poloninë dhe Lituaninë, sepse besojmë se ai do të bëjë luftë kundër NATO-s”, tha Zelensky.
Zelensky paralajmëroi se një tërheqje e SHBA nga NATO do të ishte katastrofike.
“Nëse SHBA tërhiqen, kjo do të nënkuptonte shkatërrimin e NATO-s. Pa kërcënimin ushtarak amerikan, Rusia do të fillonte të pushtonte pjesë të Evropës, veçanërisht shtetet ish-sovjetike.”
Zelensky vlerësoi mbështetjen e liderëve amerikanë për Ukrainën, por theksoi se nuk ka asnjë lider botëror që mund të arrijë një marrëveshje me Putin pa Ukrainën.
“Unë mendoj se Putin është pak i frikësuar nga presidenti Trump dhe se Trump ka një mundësi për ta shtyrë atë në negociata serioze për paqen”, tha ai.
Megjithatë, ai e paralajmëroi Trump se në bisedimet me Putin ai duhet t’i qëndrojë gjithmonë besnik Ukrainës. Zelensky shtoi se fjalët e Putin për një armëpushim nuk duhet besuar kurrë, duke kujtuar bisedimet e dështuara të paqes me Rusinë në vitin 2019.
“Putin është një vrasës dhe ai nuk do të ndryshojë kurrë. Është një dialog me një terrorist dhe aleatët tanë duhet të na ndihmojnë ta ndalojmë atë”, tha ai.
Duke komentuar deklaratat e administratës Trump se kthimi i territoreve të pushtuara nga Rusia në vitin 2014 është një pritshmëri joreale, Zelensky tha se Kievi zyrtar nuk do t’i njohë kurrë territoret e pushtuara si pjesë e Rusisë.
Megjithatë, ai pranoi se një marrëveshje diplomatike mund të konsiderohet nëse kjo nënkupton anëtarësimin e Ukrainës në NATO.
“Nëse jemi në NATO, atëherë rifitimi i territorit përmes mjeteve diplomatike do të kishte kuptim. Prioriteti ynë, natyrisht, është të mos humbasim njerëz.”
Pavarësisht të gjitha sfidave, Zelensky beson se Ukraina mund ta fitojë luftën, por ai pranoi se kjo do të kërkonte sakrifica të mëdha.
“Sigurisht që mund të fitojmë, por me kosto të madhe. Nëse partnerët tanë nuk ndihmojnë, do të jetë e vështirë dhe shumë më e gjatë se sa duhet.”