Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky tha se pret që SHBA-ja të jetë në gjendje të sigurojë që Vladimir Putin të pranojë një armëpushim.
“Ne besojmë se Amerika do të jetë mjaft e fortë për ta udhëhequr Putin të pranojë një armëpushim të pakushtëzuar,” tha ai pas takimit me Emmanuel Macron sonte në Paris.
Kjo vjen pasi Moska parashtroi kushte për ndalimin e sulmeve në Detin e Zi të ndërmjetësuara nga Uashingtoni, transmeton Sky News, përcjell KosovaPress.
Ai gjithashtu tha se vendet duhet të vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi Rusinë.
Kujtojmë, presidenti Macron tha më herët se Rusia po ri-interpreton atë që u ra dakord në bisedimet e armëpushimit.
“Unë vërej se sot Rusia është gjithmonë e tunduar të riinterpretojë atë që ne diskutojmë dhe biem dakord. Ndërsa thotë se dëshiron paqe, Rusia vazhdon të godasë intensivisht territorin ukrainas, duke përfshirë objektivat civilë. Ne i dënojmë këto sulme”, tha ai pas takimit me Zelensky.
Macron gjithashtu tha se Franca do të sigurojë një mbështetje ushtarake shtesë prej 2 miliardë dollarësh për Ukrainën.
Ai shtoi se Rusia nuk mund të diktojë kushtet për një paqe të qëndrueshme në Ukrainë.
Presidenti francez tha se raketat antitank, raketat tokë-ajër dhe dronët janë pjesë e ndihmës së re të pajisjeve ushtarake që do t’i ofrohet Kievit.