Vonesat në formimin e institucioneve të reja, siç janë Kuvendi dhe Qeveria, kanë një ndikim të dëmshëm mbi sektorin privat dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Kështu thotë drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zeka, derisa nënvizon se edhe çështja politike e pazgjidhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, vijon të jetë problemi më i madh për vendin tonë, raporton KosovaPress.
Zgjedhjet parlamentare në Kosovë u mbajtën më 9 shkurt. Partia e parë nga këto zgjedhje ka dalë Vetëvendosje, e dyta PDK. Ndërsa, LDK e treta dhe koalicioni AAK-Nisma është renditur i katërti. Pas publikimit të rezultateve përfundimtare, pritet edhe certifikimi i tyre nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ).
Në një intervistë për KosovaPress, Zeka thotë se investitorët, si ata të brendshëm ashtu edhe ata të jashtëm, kërkojnë një stabilitet politik dhe një pushtet ekzekutiv dhe legjislativ të qartë për të siguruar një mjedis të favorshëm për investime dhe zhvillim ekonomik.
Zeka nënvizon po ashtu se çështja politike e pazgjidhur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vazhdon të mbetet një nga problemet kryesore që pengon progresin e Kosovës, duke ndikuar siç thotë ai në zhvillimin e përgjithshëm të vendit dhe të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Ndërsa, foli edhe për raportet mes ShBA-ve dhe Kosovës. Sipas tij, nuk ka ndonjë risi, udhërrëfim, ose vendim tjetër që mund të ndikojë në raportet ndërmjet ShBA-ve dhe Kosovës.
Ai gjithashtu kritikom mungesën e një dialogu të efektshëm ndërmjet sektorit publik dhe atij privat, duke përmendur se Oda Ekonomike Amerikane ka dorëzuar te institucionet mbi 70 komente dhe rekomandime ligjore gjatë katër viteve të fundit, por shumë prej tyre sipas tij nuk janë marrë parasysh.
Përkundër që komuniteti i biznesit kërkoi vazhdimisht nga Qeveria të ketë në prioritet zhvillimin ekonomik dhe njëkohësisht t’u dal në mbështetje bizneseve, ekzekutivi nuk i plotësoi pritshmëritë e tyre. Ani se sekrori privat konsiderohet garancë e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.