Wanderlust in Albania, Rama fton vizitorët: Tregoni emocionet gjatë eksplorimit të Shqipërisë

Wanderlust in Albania, Rama fton vizitorët: Tregoni emocionet gjatë eksplorimit të Shqipërisë

Agjencia Kombëtare e Turizmit shpalli edicionin e dytë të konkursit ndërkombëtar “Wanderlust in Albania – foto & video reels”.

Kryeministri Edi Rama bëri të ditur sot se ky konkurs ka për qëllim promovimin inovativ të Shqipërisë turistike përmes fotove dhe videove reels të realizuara përmes tregimtarëve më autentikë, vetë vizitorëve.

Rama ftoi vizitorët të marrin pjesë në “Wanderlust in Albania” për të treguar emocionet gjatë eksplorimit të Shqipërisë turistike.

Në garë mund të marrin pjesë si fotografët profesionistë ashtu edhe ata amatorë që kanë fiksuar imazhe të bukura të vendit tonë, gjatë dy viteve të fundit. Konkursi është ndërkombëtar dhe ka 11 kategori, përfshirë risinë e këtij edicioni, kategorinë inovative të videove CGI.


300 fotot dhe 100 videot më të votuara do të kenë mundësi të marrin çmime speciale. Gjithsej do të ndahen 40 çmime.

Kryeministri informoi se edicioni i parë shënoi një sukses të vërtetë duke tërhequr pjesëmarrës nga 42 shtete të botës, raporton ATSH.

“Mundësoi të ndajmë bukurinë e Shqipërisë me një audiencë globale”, tha Rama.

Aplikimet për “Wanderlust in Albania” do të jenë të hapura nga data 21 mars deri më 4 prill. Të gjithë fituesit do të jenë pjesë e një aktiviteti special, i cili do të nderojë bukuritë më të veçanta të Shqipërisë përmes këndvështrimit të fotografuesve, transmeton KosovaPress.

Lexo edhe

Video