Mijëra njerëz refuzuan të dëgjonin urdhrat e autoriteteve në Indonezinë lindore sot për t’u evakuuar për shkak të shpërthimit të vullkanit Ibu, duke besuar se ishin mësuar me të. Rreth 500 banorë të fshatit më afër vullkanit janë evakuuar që nga mbrëmja e djeshme, njoftuan autoritetet lokale.
Vullkani Ibu, në ishullin Halmahera, në provincën Moluka Veriore, në lindje të arkipelagut indonezian, filloi të shpërthejë dje, duke nxjerrë një kolonë tymi katër kilometra të lartë. Autoritetet u kanë kërkuar 3000 banorëve që jetojnë në zonë të evakuohen.
“Deri më tani, vetëm një fshat është evakuuar dhe banorët e pesë fshatrave të mbetura kanë refuzuar të evakuohen,” tha Irfan Idrus, një zëdhënës i agjencisë lokale të menaxhimit të fatkeqësive.
Banorët që mbetën thanë se ishin mësuar me shpërthimet e vullkanit Ibua dhe nuk ishin prekur deri më tani, tha zyrtari, duke shtuar se autoritetet do të vazhdojnë të punojnë për evakuimin e tyre.
Rreth 700.000 njerëz jetojnë në ishullin ku ndodhet Ibu. Vullkani ka qenë gjithnjë e më aktiv që nga qershori, kur ndodhën një seri tërmetesh. Ai ka shpërthyer nëntë herë që nga fillimi i vitit.
Në nëntor të vitit të kaluar, vullkani Lewotobi Laki-Laki, në ishullin Flores, 800 kilometra nga Bali, shpërtheu shumë herë vetëm brenda një jave. Nëntë persona vdiqën, 31 u lënduan dhe 11.000 u evakuuan.