Zëvendëskryeministri në dorëheqje i Serbisë ka thënë se shërbimet e spiunazhit të Rusisë ndihmuan autoritetet t’i përgjigjen protestave disamujore antiqeveritare.
Studentët, të mbështetur nga mësuesit, fermerët dhe punëtorët, kanë mbajtur protesta të përditshme në të gjithë Serbinë që nga nëntori i kaluar, kur 15 persona vdiqën nga shembja e çatisë në një stacion treni në qytetin verior të Novi Sadit, për të cilin ata fajësojnë korrupsionin.
“Unë jam shumë mirënjohës për shërbimet speciale të Rusisë, të cilat na mbështesin gjithmonë në luftën tonë kundër revolucioneve me ngjyra, kryesisht me informacion,” tha Aleksandar Vulin për agjencinë e lajmeve ruse RIA.
“Ata e dinë se çfarë rreziku qëndron mbi Serbinë,” tha Vulin, transmeton Independent.
Studentët në Serbi tash e katër muaj po organizojnë tubime në disa qytete të mëdha në Serbi, duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave në Novi Sad, pas shembjes të një strehe betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024.
Studentët, përmes bllokadave dhe protestave, po kërkojnë publikimin e të gjithë dokumentacionit lidhur me rikonstruksionin e Stacionit Hekurudhor të Novi Sadit, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin, ndjekjen penale të sulmuesve të pjesëmarrësve në protestat e deritanishme, si dhe pezullimin e procedurave ndaj të arrestuarve në demonstrata.
Në protestën e fundit të madhe më 15 mars, ndaj protestuesve u përdor për atë që thuhet të ishte një top zanor, por që Beogradi zyrtar e mohoi.
Lëvizja Fillo-Ndrysho nisi një peticion, i cili u kërkon zyrtarëve të OKB-së, Këshillit të Evropës dhe Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) të kryejnë një hetim ndërkombëtar të pavarur për përdorimin e topit zanor më 15 mars kundër protestuesve paqësorë në Beograd, duke përfshirë aspektet mjekësore, ligjore dhe teknike të ndikimit të tij në shëndet dhe të drejtat e njeriut.
Peticioni, drejtuar raportueses Gina Romer, Raportueses Speciale të OKB-së për lirinë e mendimit dhe të shprehjes, Irene Kahn, Komisionarit të Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut, Michael O’Flaherty, dhe përfaqësuesit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), bën thirrje për krijimin e një hetimi të pavarur duke vendosur përgjegjësinë e institucioneve dhe individëve, si dhe udhëzime ndërkombëtare, përcjell KosovaPress.