Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të martën është takuar me Donald Trump Jr. djalin e presidentit amerikan, Donald Trump, ku kanë diskutuar lidhur me marrëdhëniet dypalëshe midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Poashtu ata biseduan edhe për temat aktuale me rëndësi politike dhe ekonomike në botë.
“Theksova rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike dhe politike ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara dhe theksova rëndësinë e bashkëpunimit strategjik mes dy vendeve dhe projekteve të përbashkëta në vitet e ardhshme. Ky takim simbolizon angazhimin për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe punën së bashku për të adresuar sfidat globale”, ka thënë Vuçiq përmes një postimi në Facebook.
Vuçiq tha se mysafirit i ka treguar edhe një pamje të Beogradit nga tarraca e Presidencës së Republikës së Serbisë.
“Jam i lumtur që mysafiri ynë i dashur mund të ndjejë energjinë dhe të shohë kryeqytetin tonë që lidh të kaluarën me të ardhmen, traditën dhe inovacionin. Shpresoj se do të shihni çdo moment të së shkuarës në Serbi dhe besoj se ky do të jetë fillimi i marrëdhënieve edhe më të forta mes vendeve tona”, ka shkruar Vuçiq.