Vrasjet e fundit, Memli Krasniqi: PDK do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal

Vrasjet e fundit, Memli Krasniqi: PDK do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal

Kryetari i PDK-së Memli Krasniqi ka thënë se pasiguria ka kapluar vendin pas katër vrasjeve vetëm në tri ditët e fundit, duke kërkuar veprim urgjent nga institucionet dhe duke paralajmëruar inicim për ndryshimin e Kodit Penal në legjislaturën e ardhshme.

Krasniqi në një postim në Facebook ka thënë se askush nuk duhet të jetojë me frikën se një armë e jashtëligjshme mund t’i marrë jetën në çdo moment.

“Këto janë jetë të vjedhura, familje të shkatërruara dhe një shoqëri që vazhdon të dëshmojë tragjedi pa asnjë veprim shtetëror të vendosur. Sa jetë të tjera duhet të humbasim që të pranojmë se kjo është një emergjencë kombëtare? Sa familje të tjera duhet të shkatërrohen që të kuptojmë se qasja e lehtë në armë dhe dështimi i shtetit për të vepruar me vendosmëri janë një kombinim vdekjeprurës?”, ka shkruar ai, raporton KosovaPress.


Memli Krasniqi ka paralajmëruar se Partia Demokratike e Kosovës, në legjislaturën e re, pas konsolidimit të institucioneve dhe qeverisë së re, do të iniciojë ndryshimin e Kodit Penal dhe legjislacionit përkatës për të ashpërsuar dënimet për armëmbajtjen pa leje.

“Kushdo që posedon apo përdor armë ilegalisht, duhet të përballet me burg, pa përjashtim. Kosova nuk mund të jetë një vend ku jeta njerëzore humb vlerën. Është koha të kthjellemi. Është koha të zgjedhim jetën. Ngushëllimet më të thella familjeve të viktimave!”, ka shkruar ai.

Katër vrasje kanë ndodhur ditëve të fundit, të cilat kanë tronditur qytetarët e vendit. Më 23 mars në Vushtrri, një 19 -vjeçar u qëllua për vdekje, më 24 mars, një burrë vrau një grua e pastaj veten në Stanoc të Vushtrrisë, ndërsa të martën një person vdiq dhe një tjetër u plagos pas shkëmbimit të zjarrit në kryeqytet.

Lexo edhe

Video