Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku ka votuar në Shkollën Fillore të Mesme të Ulët “Faik Konica” në Prishtinë.
Abdixhiku ftoi qytetarët e Kosovës të marrin pjesë masivisht duke shfrytëzuar të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Ai tha se sot është ditë e demokracisë ku qytetarët do të vendosin për fatin e tyre për katër vitet e ardhshme.
“Është ditë e mirë, është ditë e bukur, është ditë e demokracisë. Në këtë ditë të demokracisë ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë masivisht në vendosjen e fatit të tyre për 4 vitet e ardhme të tyre dhe të republikës së Kosovës. I uroj të gjithë votuesit që për herë të parë në këto zgjedhje japin votën për të ardhmen e Republikës. Zgjedhjet gjithmonë janë festë dhe në këtë ditë t’i trajtojmë si të tilla”, tha Abdixhiku.
Numri i qendrave të votimit të cilat janë në dispozicion të qytetarëve është 941, prej të cilave 903 për votimin e rregullt, me gjithsej 2 mijë 533 vendvotime, dhe 38 qendra të votimit për votimin me kusht (nga një për çdo komunë), me gjithsej 56 vendvotime.
Për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në Kosovë, qytetarët me të drejtë vote kanë mundësinë që në këto zgjedhje parlamentare të zgjedhin një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë për deputetë, ndryshe nga votimet e kaluara kur mundësia ishte të zgjidheshin vetëm deri në pesë kandidatë.
Zgjedhjet e sotme parlamentare të 9 shkurtit po monitorohen edhe nga mbi 100 vëzhgues të Bashkimit Evropian, raporton KosovaPress.